16 maj vendimi për Modularin – Mbrojtja këmbëngulë se dy ish drejtorët janë të pafajshëm
16 maj vendimi për Modularin – Mbrojtja këmbëngulë se dy ish drejtorët janë të pafajshëm

Gazetar: Bashkim Sulejmani
Ka përfunduar rigjykimi për zjarrit në Spitalin Modulari të Tetovës, ku humbën jetën 14 pacientë dhe familjarë.
Akuza dhe mbrojtja, sot dhanë fjalët përfundimtare, njëra palë duke kërkuar dënimin maksimal për dy ish drejtorët, Florin Besimi dhe Artan Etemi, si dhe për personin juridik, përkatësisht spitalin e Tetovës, shkruan Alsat.
Ndërkohë pala mbrojtëse, këmbëngul se dy ish drejtorët janë të pafajshëm, pasi nuk kanë qenë përgjegjës për sistemin kundër zjarrit. Gjykatësi i lëndës, vendosi që vendimi të jepet më 16 maj. Familjarët shprehen të revoltuar, kërkojnë dënim maksimal për fajtorët, por edhe për zgjerimin e listës së të akuzuarve.
“Nga vendimi përfundimtar presim dënim maksimal të të akuzuarve. Ta marrën dënimin e merituar sepse, pa marrë parasysh a ka pas apo jo aparate ata u dogjën për së gjalli”, tha Mumin Ismaili, familjar.
“Thonë kablloja fajet, aparatet në rregull krejt, njerëzit ku janë, na tregoni ku janë njerëzit. Gjykatësi duhet të jetë kësaj radhë më i ashpër. Sepse nëse edhe gjyqtari kalon në anën e krimit do na djegim për së treti”, u shpreh Ibin Emshiu, familjar.
“Ne presim të del e vërteta, sepse ne që ishim familjarë aty nuk pamë asgjë kundër zjarrit për tri javë sa ishim. Nga dita e parë tek e fundit ishim aty dhe s’pamë gjë, duam të dale e vërteta në shesh”, theksoi Qanie Selmani, familjar.
Rigjykimi për Modularin përfundoi pas 8 seancave pas kthimit të lëndës nga Gjykata e Apelit në Gostivar në maj të vitit të shkuar, me arsyetimin se, aktgjykimi ka qenë i pa qartë. / Alsat.mk