Kazuo Ishiguro për rritjen nën hijen e bombës së Nagasakit

Kazuo Ishiguro për rritjen nën hijen e bombës së Nagasakit

Kazuo Ishiguro ende e mban në mend se ku ndodhej kur shkroi [romanin] Dritë e zbehtë mbi kodra [A Pale View of Hills]: i përkulur mbi tryezën e ngrënies në një dhomë me qira në Kardif. Ishte në mesin e të njëzetave atëherë; tani është 70 vjeç. “Nuk kisha asnjë ide nëse libri do të botohej, e lëre më të kisha një karrierë si shkrimtar”, thotë ai. “[Por] kjo histori mbetet pjesë e rëndësishme e imja, jo vetëm sepse shënoi fillimin e jetës sime si romancier, por edhe sepse më ndihmoi të pajtohem me marrëdhënien time me Japoninë”.

Botuar për herë të parë në vitin 1982, Dritë e zbehtë mbi kodra është një histori familjare që lidh Anglinë me Japoninë dhe të tashmen me të kaluarën. Tani vjen edhe një version filmik, që i jep kësaj enigme një kuadër të ri, një dritë të freskët mbi kodra. Me skenar dhe regji nga Kei Ishikawa, filmi është një vepër tepër elegante, me gjurmë thërrimesh që lidhin një shtëpi në periferi, në fillim të viteve ’80, me Nagasakin e plagosur të pasluftës. Etsuko, tashmë në moshë të mesme, jeton prej kohësh në Mbretërinë e Bashkuar dhe përndiqet nga fati i vajzës së saj më të madhe të shpërngulur. Vajza e vogël, Niki, është shkrimtare në zhvillim, me pak para dhe e vendosur të bëjë emër. Ajo ka një regjistrues të madh zëri dhe shumë kohë të lirë. I thotë së ëmës: “Nënë, do të më tregosh për jetën tënde të mëparshme në Japoni”?

Kur ia dha Ishiguro-s Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 2017, Akademia Suedeze vlerësoi forcën emocionale të prozës së tij dhe fokusin mbi “kujtesën, kohën dhe vetëmashtrimin”. Këto janë temat që ngjyrosin të gjithë veprën e tij letrare, qoftë kur shkruan për shërbëtorët në një shtëpi aristokratike [Mbetjet e ditës / The Remains of the Day], për fëmijë të sakrifikuar në një shkollë elitare [Mos më lër të shkoj / Never Let Me Go], apo për endacakë të moshuar në Britaninë arturiane [Gjigandi i varrosur / The Buried Giant].

Historia gërmon historinë familjare të autorit dhe identitetin e tij të përzier si një fëmijë nga Nagasaki që u shpërngul në Mbretërinë e Bashkuar në moshën pesëvjeçare. Me të drejtë, premiera e filmit jepet në Festivalin e Filmit në Kanë, ku rrezikon të humbasë mes palmave, jahteve dhe shkëlqimit. Në të vërtetë, zhvendosja kulturore është një nga temat qendrore të tregimit.

Jam i tunduar ta shoh Niki-n – shkrimtaren e re, të zhurmshme, nga e cila nuk fshihet asnjë sekret familjar – si alter egon e Ishiguros. Por, në të vërtetë, ai thotë se ajo u konceptua më shumë si një “zë i lexuesit sesa i shkrimtarit”. Ajo është pika jonë e hyrjes në histori; ndoshta filli përmes labirintit. “Sot duket e pabesueshme”, shton ai, “por shumica e lexuesve britanikë të asaj kohe ishin të rezervuar ndaj tregimeve dhe personazheve japonezë dhe kishin nevojë për një prani perëndimore që t’i fuste gradualisht në rrëfim”.

Rolin e Nikit në film e luan Camilla Aiko, një e diplomuar së fundmi nga shkolla teatrale në Bristol. Ajo e sheh personazhin si kërkuesen e të vërtetës në histori, publikun dhe vetë filmin si një rrëfim për dy gra që luftojnë të lidhen me njëra-tjetrën. “Nuk më shkoi ndër mend – ndoshta duhej të më shkonte – që po luaja Ishiguron”, thotë ajo.

Ajo që ka të përbashkët me autorin është trashëgimia e përzier kulturore. Aiko është britanike me përkatësi të përzier racore – nëna e saj është japoneze. “Dhe, ajo që ka të bëjë me të qenit racë e përzier është se e kam të vështirë të flas në emër të japonezëve apo britanikëve, sepse nuk jam e sigurt në cilën anë jam. Në Japoni jam e huaj; këtu jam aziatike. Si aktore, jam dikush që përpiqet të kalojë përmes të çarave”.

Niki nuk është Ishiguro. Megjithatë, autori pranon se ka paralelizma. Ai thotë: “Aty ku e shoh veten te Niki – dhe këtë ma kujtoi edhe interpretimi i shkëlqyer i Camilla Aikos – është në atë kureshtje të saj, ndonjëherë të parehatshme, ndonjëherë të turpshme dhe dinake, kur përpiqet t’ia nxjerrë nënës kujtimet nga një kohë tjetër më e trazuar”.

Është nëna, në fund të fundit, ajo që zë vendin më të madh në tregim. Etsuko, në njëfarë kuptimi, ka jetuar dy jetë dhe përfaqëson dy persona të ndryshëm. Në Anglinë e viteve ’80 [të shekullit XX], ajo është një mësuese muzike, e ve dhe e respektuar. Në Nagasaki, shtatë vjet pas hedhjes së bombës atomike, ajo ishte një nuse e re, e stresuar, e kontaminuar nga rrezatimi dhe potencialisht e rrezikshme për fëmijën që mban në bark. Asaj i nevojitet një mikeshë ose një rrugë shpëtimi – cilado që të vijë e para. Por, ajo nuk është kurrë narratore plotësisht e besueshme – dhe historia familjare që i rrëfen Nikit nuk del të jetë koherente.

Çfarë mendonte nëna e Ishiguro-s për Dritë e zbehtë mbi kodra? “Besoj se, ndër librat e mi, mbeti një libër i veçantë për të”, thotë ai. “Pak përpara se të nisja librin, me tensionet e Luftës së Ftohtë që po intensifikoheshin gjatë epokës Regan-Brezhnjev, ajo më tha se ndiente që ishte e rëndësishme të më tregonte disa nga përvojat e saj në Nagasaki. Pjesërisht sepse unë isha i gjeneratës tjetër, por edhe sepse doja të bëhesha shkrimtar dhe kisha mundësinë t’i transmetoja ato më tej … Dritë e zbehtë mbi kodra nuk përdor asnjë prej tregimeve të saj, drejtpërdrejt, por mendoj se ajo e konsideronte librin si një lloj evolucioni dhe më të afërt me të se librat që shkrova më vonë”. Nëna e Ishiguros vdiq në vitin 2019, në moshën 92-vjeçare. Pasi pa përshtatjen filmike nga Ishikawa, ai mendoi: “Sa keq që ajo nuk ishte këtu për ta parë këtë film”.

Kinemaja është një pasion i përhershëm për Ishiguro-n dhe ndikon në shkrimin e tij po aq sa letërsia. Filmat e tij të preferuar të kohëve të fundit përfshijnë animacionin fitues të Oskarit, Flow, që flet për një mace të vogël që i mbijeton një përmbytjeje të madhe, si dhe dramat ligjore franceze Anatomy of a Fall dhe Saint Omer (“A zhvillohet drejtësia franceze vërtet kështu? Apo janë këto versione halucinante të gjykatave franceze”:).

Para disa vitesh, ai shkroi skenarin për filmin Të jetosh [Living] – një përshtatje prekëse e klasikut të Akira Kurosawas nga viti 1952, Ikiru, e vendosur në Londër dhe me aktorët Bill Nighy dhe Aimee Lou Wood. Posteri i Ikiru-s, për ironi, mund të shihet në rrugë në filmin Dritë e zbehtë mbi kodra.

Dashuria për filmin mund të jetë një shpatë me dy tehe. A ndihmon apo pengon kur vepra e tij përshtatet për ekranin? Me shpresë, ndihmon, thotë Ishiguro, përderisa ai mban një distancë të sigurt. “Kam një rregull të rreptë që të mos përpiqem t’i përshtas vetë romanet e mia”, shton shkrimtari, që flet me mua përmes postës elektronike. “Përderisa rri mjaftueshëm në sfond, nuk mendoj se jam domosdo një pengesë. Gjithmonë e theksoj, përpara regjisorëve, se ata duhet ta bëjnë filmin të tyre – nuk duhet ta trajtojnë me përkushtim të tepruar, si të ishte libër i shenjtë”.

Merchant-Ivory bëri një përshtatje pothuajse të përkryer të Mbetjet e ditës. Mark Romanek dhe Alex Garland krijuan një version të arrirë të Mos më lër të shkoj. Të dy filmat ruajnë stilin dhe aromën e veçantë të Ishiguros – përmbajtjen, thjeshtësinë, ndjesinë e misterit të thellë. Por, mbi të gjitha, mbeten filma. Janë lejuar të migrojnë dhe të përshtaten në një habitat të ri.

“Kjo është personale për mua”, thotë ai, “por, unë e përkrahi idenë që versioni filmik të shtyjë përpara tregimin – të mos jetë një përkthim i përpiktë, siç do të ishte një botim në gjuhë të huaj i një libri. E di që shumë romancierë do të mërziteshin po të më dëgjonin të thosha këtë … Por, ja që unë shikoj shumë, shumë filma, dhe kur një përshtatje e një libri të njohur nuk funksionon, në 95 për qind të rasteve është për shkak se krijuesit janë treguar tepër të përkushtuar ndaj burimit”. Sipas tij, librat dhe filmat janë shumë të ndryshëm – “ndonjëherë gati të kundërt”.

Në Dritë e zbehtë mbi kodra, Etsuko ia kalon historinë e saj Nikit. Niki, nga ana e saj, do ta shkruajë ashtu siç ajo dëshiron. Kështu që kemi të bëjmë me një histori familjare për histori familjare – të vetëdijshëm për mënyrën se si ndryshojnë gjërat gjatë rrëfimit. Çdo tregim i nënshtrohet të njëjtës ndërhyrje kulturore. Ato përshtaten e zgjaten, humbasin e gjenden në përkthim. Mund të thuhet madje se kjo është ajo që i mban tregimet gjallë.

“Dhe ka një gjë tjetër”, thotë Ishiguro. “Mund të tingëllojë si modesti kur i inkurajoj përshtatjet filmike që ta ‘çojnë më tej’ tregimin. Por, në të vërtetë, kjo është një formë egomanie. Kam ambicie që tregimet e mia të bëhen si ato të, le të themi, Homerit. Ose si disa përralla dhe mite që kalojnë përmes shekujve dhe kulturave, përshtaten dhe rriten për t’u folur audiencave të ndryshme. Romanet e mia përbëhen nga materiale që i kam trashëguar, përthithur dhe rimodeluar. Kur diçka kalon nga libri në film, është si një mundësi rreth zjarrit: është momenti kur tregimi duhet të rritet dhe të evoluojë”.

Nga: Xan Brooks / The Guardian (titulli: ‘I had a chance to pass my mum’s story on’: Kazuo Ishiguro on growing up in shadow of the Nagasaki bomb)
Përkthimi: Telegrafi.com

LEXO EDHE:

Back to top button