Kampioni i botës kërkon divorcin pas 5 muajsh dhe vetëm një gare në pistë

Aventura e Horhe Martin në “Aprilia” mund të marrë fund shumë shpejt. Mësohet se kampioni i botës në fuqi në “MotoGP”, ka informuar skuadrën e tij gjatë garës së fundit ne Le Mansh se donte të përfitonte nga klauzola në kontratën e tij (dy-vjeçare).

Kjo klauzolë i garanton atij mundësinë për t’u liruar në fund të këtij sezoni nëse ai nuk do të ishte në mesin e pilotëve që luftonin për titullin kampion në Moto GP pas garës franceze. Një vendim i njëanshëm, të cilin “Aprilia” nuk e ka marrë mirë sepse Martin, për shkak të dëmtimeve të ndryshme mes provave dhe stërvitjes, ka garuar vetëm një herë këtë sezon, në Katar, ku gjithashtu u rrëzua keq dhe u lëndua sërish.

Për këtë arsye, po vlerësohet masa e mundshme ligjore ndaj pilotit rreth të cilit është ndërtuar një projekt ambicioz. Duke munguar për shkak të dëmtimit, “Aprilia” është e bindur se klauzola nuk mund të aktivizohet. Një përçarje mes palëve, të cilat vështirë se mund të vazhdojnë së bashku në vitin 2026.

Hamendësohet se Martin është i gatshëm të zgjasë klauzolën deri në fund të verës, në garën e Misano, por duket qartë se dëshiron të largohet sa më shpejt të jetë e mundur. Aprilia do të përpiqet të mbajë pilotin madrilen edhe për pjesën e dytë të kampionatit që nuk premton mirë.

Lëvizja e Martin vjen pasi garat e para të sezonit treguan se motori japonez nuk ishte shumë konkurrues duke pasur parasysh rezultatet e Marco Bezzecchi dhe të fillestarit Ai Ogura. Për këtë arsye, numri 1 po kërkon një motor të ri për vitin 2026.

LEXO EDHE:

Back to top button