Oklahoma eliminoi Denverin dhe kalon në finale të Konferencës së Perëndimit

Basketbollistët e Oklahoma Sitit mposhtën bindshëm Denver Nagetsin në ndeshjen e shtatë të gjysmëfinales së Konferencës Perëndimore, me rezultatin 125:93, duke siguruar kalimin në finalen e madhe të Perëndimit. Me këtë fitore, Oklahoma përmbylli serinë me shifrat 4:3, duke eliminuar ish-kampionët e NBA-së dhe duke siguruar përballjen e radhës kundër Minesota Timbervolvsin.
Denveri e nisi më mirë takimin dhe në çerekun e parë krijoi një epërsi prej 10 pikësh, por Oklahoma reagoi fuqishëm me një seri prej 13:0, duke përmbysur ndeshjen. Pjesa e parë ishte e barabartë për pjesën më të madhe të saj, por në minutat e fundit Thunder mori kontrollin, duke krijuar një epërsi dyshifrore 54:43 dhe duke shkuar në pushim me avantazh 60:46.
Dominimi i vendasve u thellua në çerekun e tretë, kur përparësia arriti shpejt në mbi 20 pikë, duke e vulosur praktikisht fatin e ndeshjes dhe të serisë. Heroi i Oklahomës ishte sërish Shai Xhilxheous-Aleksander, i cili realizoi 35 pikë, 4 asistime dhe 3 kërcime. Xhejlen Uilliams kontribuoi gjithashtu me 24 pikë dhe shtatë asistime.
Finalja e Konferencës Perëndimore midis Minesotës dhe Oklahomës, do të nisë natën mes të martës dhe të mërkurës. Ndërkohë, në Konferencën e Lindjes në finale janë Nju Jorku dhe Indiana.