Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e neneve kontestuese të Kodit Zgjedhor
Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e neneve kontestuese të Kodit Zgjedhor

Gazetare: Ajnur Bafqari
Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar nenet kontestuese 17 dhe 18 të Kodit Zgjedhor, të cilat u miratuan në mars të vitit 2024 dhe me to u rrit pragu i nënshkrimeve të nevojshme për dorëzimin e listave të pavarura në zgjedhje, respektivisht 1% nga trupi votues. Kreu i Kushtetueses, Darko Kostadinovski, tha se vendimi i tillë është marrë pasi janë konstatuar shkelje materiale dhe formale të kushtetutshmërisë përmes këtyre neneve.
“Bëhet fjalë për kushtin mbi baza të të cilit qytetarët si subjekte zgjedhore mund të propozojnë lista kandidatësh për pjesëmarrje në zgjedhje dhe pasojat e ndryshimeve të tilla zgjedhore i prekin direkt të drejtat e qytetarëve që të propozojnë kandidatë, të ketë kandidatë të pavarur dhe e gjithë kjo u bë me procedurë të shkurtër, në mënyrë tërësisht jo transparente, pa diskutim publik e madje edhe pa diskutim në seancën e Kuvendit, edhe atë pak para zgjedhjeve në vitin 2024, me çka të kushtetuesja u krijua përshtypja se këto ndryshime janë bërë në interes të partive politike me qëllim uljen e numrit të kandidatëve të pavarur në vetë fillimin e garës zgjedhore”, deklaroi Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Kostandinovski tha se ky vendim nuk ndikon në legjitimitetin e zgjedhjeve të kaluara.
“Veprimi shfuqizues i vendimit të gjykatës kushtetuese ka veprim ‘profuturo’ që nënkupton se nga dita që do të publikohet në Gazetën Zyrtare e më tej… NE kemi të drejtë si gjykatës, që të matim një diapazon të gjerë të rrethanave kur marrim vendim shfuqizues ose zhbërës, sepse janë të ndryshme efektet ligjore të atyre dy vendimeve”, tha Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Kostovski sqaron se ligjvënësi tani është i obliguar që menjëherë të veprojë në plotësimin e zbrazëtirës ligjore që u bë me vendimin e kushtetueses, në të kundërtën, kjo do të nënkuptonte shkelje shtesë e të drejtave bazë të qytetarëve dhe shkelje e rëndë e pluralizmit politik në vend. Ai tha se duke pasur parasysh faktin se ndryshimet tashmë të shfuqizuara janë bërë shumë pak kohë para zgjedhjeve, politikanët nuk duhet ta shfrytëzojnë argumentin se sipas rekomandimeve të faktorit ndërkombëtar Kodi Zgjedhor nuk duhet të preket para zgjedhjeve. /Alsat.mk