Marrëveshja Shkup – Londër, 6 MLD euro për projekte kapitale
Marrëveshja Shkup - Londër, 6 MLD euro për projekte kapitale

Gazetar: Suad Bajrami
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski dhe ministri britanik i Ekonomisë dhe Eksportit Geret Tomas në Londër sot nënshkruan marrëveshje për partneritet strategjik me të cilën parashikohet që vendit t’i vihen në dispozicion kredi prej 6 miliardë eurosh për realizimin e projekteve kapitale në fushën e transportit, shëndetësisë, arsimit, energjetikës, teknologjisë dhe mjedisit jetësor.
“Këtë e shohim si mundësi të shkëlqyer që shteti të zhvillohet. Tanimë kemi tre projekte që janë të gatshme, ai është për hekurudhën e shpejtë në Korridorin 10, projekti shëndetësor për spitalet dhe projekti për arsim për Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa në periudhën e ardhshme do të kërkojmë dhe projekte të reja në sektorët për Energjetikë dhe Mjedis Jetësor, por edhe projekte tjera gjithsesi. Ajo që është edhe më e rëndësishme për ne është se do ta shfrytëzojmë përvojën dhe ekspertizën më të mirë prej administratës publike britanike dhe sektorit të biznesit britanik që administrata jonë dhe sektori ynë i biznesit do të vijë në një nivel të ri”, deklaroi Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.
Sipas ministrit britanik të Ekonomisë, marrëveshja ndërqeveritare ka fokus përmirësimin e infrastrukturës, me çka do të nxitej rritja ekonomike.
“Marrëveshja ndërqeveritare do të mbështesë ofrimin e projekteve kyçe me fokus në institucionet moderne dhe shëndetësore, por edhe qasje në shërbimet shëndetësore. Gjithsesi këtu është edhe hekurudha e re, me çka do të zvogëlohet koha e udhëtimit edhe për njerëzit edhe për mallrat. Investimet infrastrukturore e dimë se janë kyçe që të nxitet rritja ekonomike dhe të përmirësohet jeta e qytetarëve. E di se ai është qëllimi ynë i përbashkët për qeveritë tona dhe ky partneritet është themeli i ri për mbështetjen e ofrimit të tillë që të nxitet rritja, të ndahen praktikat më të mira mes dy kombeve tona. Dhe gjithsesi, marrëdhënia mes nesh të vijë në një nivel të ri”, tha Geret Tomas, ministër i Ekonomisë dhe Eksportit të Britanisë së Madhe.
Pjesë e delegacionit qeveritar nga Maqedonia pos Nikollovskit janë edhe zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, ministrja e Arsimit Vesna Janevska dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për Infrastrukturë Hekurudhore Sinisha Ivanovski. Sipas autoriteteve vendase, po bisedohet për tre pako të projekteve.
Mexhiti, pas takimit në Londër me përfaqësues të Instrumentit për Mbështetje të Financimit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar – UKEF, tha se me marrëveshjen parashikohet edhe pastrimi i mbetjeve të rrezikshme.
“Përveç këtyre dolëm edhe me idenë e re nga Ministria e Ekologjisë që ta shfrytëzojmë këtë mundësi financiare, por edhe ekspertizën, përvojën e Britanisë së Madhe që të zgjidhim një problem me dekada në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Eliminimin total të mbetjeve të rrezikshme, siç është lindani në fabrikën e Ohisit, mandej në Jugohrom, në Vakcincë të Llojanit sepse këto paraqesin rrezik potencial për ambientin dhe shëndetin e qytetarëve në nivel shteti”, u shpreh Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.
Marrëveshja paraprakisht është miratuar në Qeveri, ndërsa për të hyrë në fuqi, duhet të ratifikohet në Kuvend. /Alsat.mk