Në kuvendin e jashtëzakonshëm të ASH-së, krahu i Arben Taravarit, u shkarkua kreu i kuvendit, Arben Fetai

Në kuvendin e jashtëzakonshëm të ASH-së, krahu i Arben Taravarit, u shkarkua kreu i kuvendit, Arben Fetai

Në kuvendin e jashtëzakonshëm të ASH-së, krahu i Arben Taravarit, u shkarkua kreu i kuvendit, Arben Fetai. Mbledhja e kuvendit siç tha Taravari është iniciuar nga 2/3 e kuvendarëve, ndërsa vjen pak ditë pasi një pjesë e funksionarëve të lartë të kësaj partie kundërshtuan vendimin e tij për të dalë nga qeveria dhe koalicioni VLEN. Kryetar i ri i kuvendit të ASH-së është zgjedhur Nazim Taipi.

“Edhe disa anëtarë të kryesisë i përjashtuam të cilët veçmë publikisht deklarohen kundër Aleancës për Shqiptarët, anëtarët e kryesisë që u përjashtuan janë gjithsej 8 nga 46 anëtarë të kryesisë qendrore, kështu që vazhdon kryesia me pjesën dërrmuese të anëtarëve, kuvendi me shumicë absolute në kuvendin qendror. Për Mimoza Musën nuk sollën vendim për shkak se ajo nuk ishte definuar mirë, mbetet me Aleancën për Shqiptarët, mbetet me VLEN-in, nuk e kemi porosinë e qartë”, tha Arben Taravari, Kryetar i ASH-së.

Taravari njoftoi se në mbledhjen e kuvendit, është konfirmuar vendimi i partisë për dalje nga qeveria dhe për të garuar e vetme në zgjedhjet lokale të tetorit. Taravari përsëriti se në zgjedhjet lokale do të bashkëpunojë edhe me BDI-në edhe me VLEN-in.

“Në Manastir, në Kërçovë, në Bërvenicë, në Çashkë, në Prespë, në Butel do të bashkëpunojmë edhe me BDI-në edhe me VLEN-in sepse vetëm kështu mund të ju ndihmojmë shqiptarëve dhe është interes shqiptar, në komunat e tjera e shohim….Nuk përjashtojmë bashkëpunim me asnjë parti politike opozitare”, u shpreh Arben Taravari, Kryetar i ASH-së.

Por për pjesën tjetër të ASH-së e cila mbetet në koalicionin VLEN dhe në qeveri, vendimi i Taravarit është në kundërshtim me statutin e partisë dhe është jolegjitim. Latif Arifi ditë më parë në intervistë për Alsat tha se pjesa më e madhe e anëtarësisë së ASH-së nuk i është bashkuar Taravarit dhe se kanë siguruar 1/3 të nënshkrimeve të kuvendarëve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button