Inteligjenca artificiale dhe gjenetika mund t’i ndihmojnë fermerët të kultivojnë misër me më pak plehra

Inteligjenca artificiale dhe gjenetika mund t'i ndihmojnë fermerët të kultivojnë misër me më pak plehra

Shkencëtarët në Universitetin e Nju Jorkut po përdorin inteligjencën artificiale për të përcaktuar se cilat gjene rregullojnë efikasitetin e përdorimit të azotit në misër, me qëllim që t’i ndihmojnë fermerët të përmirësojnë rendimentet e të korrave dhe të minimizojnë kostot e plehrave të azotit.

“Duke identifikuar gjenet që janë të rëndësishme për përdorimin e azotit, ne mund të zgjedhim ose edhe të modifikojmë disa gjene për të përmirësuar efikasitetin e përdorimit të azotit në kulturat kryesore amerikane si misri”, tha Gloria Coruzzi, një profesoreshë në Universitetin e Nju Jorkut dhe autore kryesore e studimit.

Në 50 vitet e fundit, fermerët kanë rritur rendimentet e të korrave falë përmirësimeve të mëdha në kultivimin e bimëve dhe plehrave.

Megjithatë, shumica e kulturave bujqësore përdorin vetëm rreth 55% të azotit në plehun që fermerët aplikojnë në fushat e tyre, ndërsa pjesa tjetër përfundon në tokën përreth. Kur azoti depërton në ujërat nëntokësore, ai mund të ndotë ujin e pijshëm dhe të shkaktojë dëm. Për më tepër, azoti i papërdorur që mbetet në tokë shndërrohet në oksid azoti, një gaz serrë i fuqishëm që është 265 herë më efektiv në bllokimin e nxehtësisë gjatë një periudhe 100-vjeçare sesa dioksidi i karbonit.

Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi kryesor në botë i misrit. Kjo kulturë e rëndësishme bujqësore kërkon sasi të mëdha azoti për t’u rritur, por shumica e plehrave të përdorura për misrin nuk absorbohen ose përdoren. Efikasiteti i ulët i përdorimit të azotit nga misri përbën një sfidë financiare për fermerët, duke pasur parasysh kostot në rritje të plehrave – shumica e të cilave importohen – dhe gjithashtu rrezikon të dëmtojë tokën, ujin, ajrin dhe klimën.

Për të adresuar këtë sfidë te misri dhe kulturat e tjera, studiuesit në Universitetin e Nju Jorkut kanë zhvilluar një proces të ri që integron gjenetikën e bimëve me të mësuarit automatik, një lloj inteligjence artificiale që zbulon modele në të dhëna – në këtë rast, për të lidhur gjenet me një tipar (efikasiteti i përdorimit të azotit).

– Tipare të tilla si efikasiteti i përdorimit të azotit ose fotosinteza nuk kontrollohen kurrë nga një gjen i vetëm. “Bukuria e procesit të të mësuarit automatik qëndron në faktin se ai mëson grupe gjenesh që janë kolektivisht përgjegjëse për një tipar të caktuar, dhe gjithashtu mund të identifikojë faktorin ose faktorët e transkriptimit që kontrollojnë këto grupe gjenesh”, theksoi Coruzzi.

Studiuesit trajnuan modele të të mësuarit automatik për të identifikuar gjenet që i përgjigjen azotit, si dhe faktorët e transkriptimit që rregullojnë gjenet, të cilat janë të rëndësishme për efikasitetin e përdorimit të azotit (NUE).

– Duke analizuar hibridet e misrit në fazën e fidanit, u përpoqëm të shihnim nëse shprehja e gjeneve të identifikuara që janë të rëndësishme për efikasitetin e përdorimit të azotit është e lartë, kështu që në vend që t’i mbjellim ato në fushë dhe të matim përdorimin e azotit nga ana e tyre, mund të përdorim shënjues molekularë për të zgjedhur hibridet në fazën e fidanit që janë më efikasë në përdorimin e azotit, dhe më pas të mbjellim ato varietete. Kjo jo vetëm që do të rezultojë në kursime kostosh për fermerët, por do të zvogëlojë edhe efektet e dëmshme të ndotjes së ujërave nëntokësore nga azoti dhe emetimet e gazrave serrë nga oksidi i azotit – përfundoi Koruci.

LEXO EDHE:

Back to top button