Me Serbinë nuk është ndeshje normale, ne duhet të përqendrohemi te loja

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Silvinjo publikoi listën me 27 lojtarët e thirrur për ndeshjet e qershorit, më 7 qershor kundër Serbisë dhe tri ditë më vonë kundër Letonisë. Trajneri foli për duelin me Serbinë dhe emocionet që sjell kjo përballje, si dhe ajo me Letoninë.
“Ky është moment shumë i vështirë, dhe i veçantë i datave FIFA, lojtarët mbyllin sezonin dhe duhet të shohim si mbërrijnë. Ndonjë mbërrin shumë i lodhur, dikush më pak, se ka luajtur më pak, dikush ka mbaruar prej ditësh sezonin. Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, dy skuadra, kundërshtarë shumë fizikë. Ne shpenzojmë shumë energji, duhet të punojmë shumë mirë. Do të jenë të rëndësishëm të 27 lojtarët, mesazhi i parë është që kemi nevojë për të gjithë. Janë dy ndeshje shumë të vështira për të harxhuar shumë energji. Të përqendrohemi te e para, Serbia, nuk është ndeshje normale, e di, e njoh historinë. Por ne duhet të përqendrohemi te loja, duhet të bëjmë mirë, të jemi skuadër lufte, zemre e shpirti, të mos humbim identitetin, të shkojmë në fushë e bëjmë futboll. Ata jemi ne, jam dakord që është ndeshje që duhet përgatitur mirë, e vështirë, por ne kemi shanset tona,” tha në fillim Silvinjo.
“Jam i sigurt që duhet të punojmë mbi të, është ndeshje speciale. Por të mos harrojmë që shkojmë në fushë dhe aty është sport, 90 minuta, duhet të përgatitemi shumë mirë për të përballuar të dy ndeshjet. Qartësisht këto 7 ditë, që në ditën e parë do punojmë për të. Kam nevojë për 27 lojtarë me shumë dëshirë për të shkuar në fushë e lënë zemrën e shpirtin, nuk kemi rrugë tjetër. Teorikisht në letër është vendi i dytë, në futboll mund të ndodhë gjithçka. Ne duhet të punojmë mbi gjithçka që mund të marrim, udhëtimi është i shpejtë dhe nuk ka kohë të humbim, ky është mesazhi, kam nevojë çdo minutë të lojtarëve që në stërvitje. Fusha flet, unë dua të shoh lojtarë që vrapojnë, çdo gjë kemi bërë, edhe më shumë zemër e shpirt. Kjo është karakteristika e skuadrës tonë, nuk duhet ta humbim, dua edhe më shumë,” tha mes tjerash trajneri i kombëtares kuqezi.