Pushteti dhe opozita përplasen në lidhje me Agjendën e Reformuese

Pushteti dhe opozita përplasen në lidhje me Agjendën e Reformuese

Gazetar: Suad Bajrami

Ndryshime kushtetuese si kusht për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, ishin kryefjala e diskutimit në Këshillin Nacional për Eurointegrime, në të cilin krahas deputetëve morën pjesë dhe ministra, profesorë e pjesëtarë të shoqërisë civile, për të diskutuar rreth statusit të realizimit të Agjendës Reformuese të Maqedonisë së Veriut për periudhën 2024-2027.

Agjenda reformuese parashikon një sërë ligjesh për reforma në digjitalizim, e gjyqësor. Sipas opozitës, kjo ka ngecur për shkak të kërkesës bilaterale të Bullgarisë, për futjen e bullgarëve në kushtetutë.

“Ngadalësimi i integrimeve evropiane, kërkesa bilaterale si ajo bullgare për identitetin dhe historinë kanë frenuar vullnetin politik për reforma, ku ngecën realizimi i Agjendës në lidhje me miratimin e ligjeve të parapara si kusht për realizimin e paketës financiare”, tha Ilir Demiri, deputet i Frontit Evropian.

“Dhe kot flasim edhe për reforma edhe për agjendë, normalisht janë shumë të rëndësishme, shumë e nevojshme, nëse fillimisht nuk japim sinjal, s’jemi të gatshëm për t’i kryer këto ndryshime kushtetuese. Imagjinoni ne para një viti kemi qenë shumë më afër ndryshimeve kushtetuese se pas një viti, pas qeverisë së re”, u shpreh Halil Snopçe, Aleanca për Shqiptarët.

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, i cili fillimisht prezantoi realizimin e masave të parashikuara me Agjendën Reformuese, demantoi se shteti ka ngecur në reforma.

“Nuk ju kuptova shumë saktë në pjesën që thatë është frenuar vullneti politik për implementimin e agjendës së reformave për arsye se në qoftë se gjithë përfaqësuesit e lartë evropian, përfshirë edhe presidentin Koshta, përfaqësuesen e lartë Kaja Kallas kur vijnë në Shkup thonë se Maqedonia është e para ecë me tempo të mirë të realizimit. Nuk e di si është frenuar implementimi i agjendës së reformave për arsye se i bie o ata e thonë të pavërtetën o ne”, theksoi Orhan Murtezani, ministër për Çështje Evropiane.

Deputetët e VMRO-së dhe LSDM-së kritika për mungesën e ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov në seancë, edhe pse resori i tij është i përfshirë në aktivitetet për ligjet reformuese. Sipas tyre, mosardhja e Fillkovit tregon mosrespektim. Nga Kabineti i Filkovit për Alsat, theksuan që ministri nuk ka mundur të merr pjesë për shkak të obligimeve urgjente dhe të paanulueshme./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button