Pacientët me kancer takuan prokurorët të cilët merren me lëndën e Onkologjisë

Pacientët me kancer takuan prokurorët të cilët merren me lëndën e Onkologjisë

Gazetare: Linda Ebibi

Rreth 70 pacientë me kancer nuk kanë marrë terapinë e duhur biologjike, shkruan Alsat.

Këtë sot e konfirmoi Ana Marjaniviq, paciente e cila pas takimit me prokurorët kompetent të rastit Onkologjia, tha se këto janë rezultat i hetimeve të kryera tek të gjithë pacientët që kanë pranuar terapi biologjike ose është dashur të marrin terapi biologjike gjatë viteve 2018 deri në vitin 2023.

Sipas Marjanoviq, disa prej këtyre pacientëve të evidentuar tashmë kanë humbur jetën.

“Informacionin e parë që na dhanë është se janë shqyrtuar të gjitha rastet e pacientëve në periudhën 5 vjeçare që kanë pranuar terapi biologjike ose që janë dashur të pranojnë terapi biologjike. Te 70 pacientë përmes raporteve të dërguara në ekspertizë është konstatuar se ka pasur lëshime protokollare në dhënien e terapive”, tha Ana Marjanoviq, paciente.

Edhe Prokuroria themelore  Publike e konfirmoi të njëjtën.

“U shqyrtuan të dhënat mjekësore te të gjithë pacientët onkologjikë që morën terapi biologjike për një periudhë prej 5 vitesh,  me këshilltarët teknikë të hetimit që nxorën në pah historitë me dyshime të caktuara në lidhje me metodën e trajtimit. Nga të gjitha historitë e shqyrtuara, 65 u përzgjodhën, u dërguan dhe u analizuan nga ekspertë në Slloveni dhe Serbi. Ekspertët sllovenë konfirmuan trajtim të pamjaftueshëm në 29 pacientë, dhe ekspertët serbë konfirmuan trajtim të pamjaftueshëm tek 18 pacientë të tjerë”, thonw nga Prokuroria themelore Publike.

Në vijim prokuroria do të kontaktojë pacientët tek të cilët raportet e ekspertëve kanë përcaktuar mangësi në trajtim ose përfaqësuesit e tyre ligjor me qëllim që t’i informojnë dhe t’u tregojnë të drejtat e tyre si persona të dëmtuar.

Dy ish drejtorët e Onkologjisë Nino Vasev dhe Nehat Nuhiu akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrime dhe keqpërdorime. Me këto veprime ata kanë përfituar pronë dhe kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për mbi 2.2 miliardë denarë.

Në këtë rast janë të përfshirë edhe tre mjekë onkologë për trajtim të pa përshtatshëm të pacientëve. Për dy drejtorët është caktuar masa e arrestit shtëpiak, ndërsa Prokuroria është ankuar ndaj kësaj mase, duke kërkuar paraburgimin e tyre. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button