Toshkovski kritikon drejtësinë, Tetovë incidentet nuk procedohen

Toshkovski kritikon drejtësinë, Tetovë incidentet nuk procedohen

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Ministri i Brendshëm ka adresuar kritika ndaj prokurorisë dhe gjykatës në Tetovë, duke u kërkuar më shumë zhdërvjelltësi dhe përkushtim në luftën kundër krimit. I pyetur sot nga ALSAT lidhur me rastin e fundit të të shtënave me armë zjarri nga një motor skuter drejt shtëpisë së njërës prej dy familjeve në konflikt në Tetovë – ngjarje që ka rrezikuar sigurinë e përgjithshme – ministri Toshkovski shprehu zhgënjim të thellë për funksionimin e sistemit të drejtësisë.

“Vepra të dhunshme në Tetovë ka pasur, ka  dhe do të ketë. Çështja është se si do t’i përgjigjet këtyre veprave Ministria e Punëve të Brendshme. Mendoj se e shihni se përgjigjet në kohë dhe në mënyrë të duhur dhe në drejtim të asaj që duhet ta jap si  përgjigje. Shpresoj se në të ardhmen dhe gjykatat të përgjigjen në interes të qytetarëve me drejtësi procedurale të shpejtë, efikase dhe të përshtatshme,” tha Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm.

Ndërkohë, ALSAT kërkoi sqarime edhe nga Prokuroria dhe Gjykata e Tetovës. Nga Prokuroria Themelore hodhën poshtë pretendimet e gjykatës lokale se dosja për të shtënat para Spitalit Klinik të Tetovës, ndodhur në mes të janarit të vitit të kaluar, është dorëzuar në gjykatë vetëm disa ditë më parë. Sipas të dhënave zyrtare, prokuroria e ka dorëzuar lëndën që më 20 mars, datë pas së cilës ka filluar afati dyjavor për kundërshtim të provave, dhe më pas mund t’i caktohej një gjykatësi për shqyrtim. Po ashtu, nga kjo prokurori theksojnë se vonesa në procedim ka ardhur edhe nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar në Shkup, pasi në këtë rast ishte i përfshirë edhe një pjesëtar i policisë. Lënda u mbajt atje për dy muaj dhe më pas iu kthye Tetovës, jo me propozim për paraburgim, por me masën më të butë të detyrimit për paraqitje – vendim që më vonë u konfirmua edhe nga Prokuroria e Tetovës. Sipas kësaj prokurorie, arsyetimi për moscaktimin e paraburgimit qëndron në faktin se provat janë kryesisht verbale, pasi natën e ngjarjes kamerat e sigurisë në spital nuk funksiononin dhe nuk ka prova të mjaftueshme për masa më të rënda sigurie. Kjo masë e lehtësuar – detyrim paraqitjeje – ka bërë që konfliktet ndërmjet dy familjeve të vazhdojnë. Familja Terziu është goditur disa herë nga të shtëna me armë drejt shtëpive të tyre, ndërsa përplasjet kulmuan në korrik të vitit të kaluar, kur një anëtar i kësaj familjeje mbeti i vrarë. Rasti më i fundit ndodhi para dy netësh, kur ndaj shtëpisë së personit M.T. u qëllua me kallashnikov nga një motor skuter në lëvizje. Pas presionit të ushtruar nga ALSAT, sot Gjykata e Tetovës njoftoi se dosja është ndarë dhe procesi gjyqësor do të nisë më 10 qershor. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button