Nerova/ Nxënësit rikthehen në shkollë, Mickoski thotë se do të vizitojë banorët
Nerova/ Nxënësit rikthehen në shkollë, Mickoski thotë se do të vizitojë banorët

Gazetare: Melihate Rrustemi
Fëmijët e shkollës fillore “Nikolla Karev” të fshatit Nerovë të Komunës së Krushevës u kthyen në mësim pas tetë ditësh bojkot. Këshilli i prindërve mori këtë vendim për të mos i dëmtuar më shumë fëmijët, posaçërisht ato të klasës së nëntë kur bëhet fjalë për përmbyllje të vitit shkollor. Pavarësisht ndërprerjes së bojkotit, Këshilli i prindërve nuk heq dorë nga kërkesa për legalizimin e këtij objekti ku do të mësonin mbi 120 nxënës.
“Fëmijët të gjithë u kthyen në bankat shkollore dhe vazhduan procesin mësimor. Shkaku I kësaj, jo se kemi pas ndonjë garanci nga dikush ose nga Ministria e Arsimit ose nga Qeveria se do të rregullohet çështja e objektit të ri por këtë e bëmë vetëm me qëllim se fëmijët tanë mos të humbin pasi që është edhe fundi I vitit shkollor ashtu që mos të kemi problem edhe me nxënësit që janë të klasës së nëntë të cilët së shpejti duhet të regjistrohen edhe nëpër shkolla të mesme. Prandaj e pamë të arsyeshme që bojkotin patjetër ta ndërpresim që nxënësit të kthehen në bankat shkollore,” tha Dashmir Jusufi, Këshilli I Prindërve.
Ministria e Arsimit vazhdon të mos jep asnjë sqarim për këtë problematikë. Ndërkohë, në Kuvend, në pyetje deputetësh Ilire Dauti nga ASH-ja i kërkoi kryeministrit Hristijan Mickoski ta zbatoj Kushtetutën për tëë gjithë qytetarët njejtë.
“Ju si kryeministër I vendit besoj se jeni njeriu i parë i cili duhet të kujdeseni për zbatueshmërinë e këtij dinjitetii që e parasheh Kushtetuta e shtetit tonë. Pra, banorët atje kërkojnë për fëmijët e tyre kushte të dinjitetshme, meqenëse këtë nuk ua ka mundësuar shteti ata kanë marë një iniciativë dhe kanë ndërtuar një objekt me financim,” deklaroi Ilire Dauti, ASH.
Kryeministri Mickoski tha se përgjegjës për këtë çështje është komuna e Krushevës por edhe ata të cilët e donacione vendosën të ndërtonin një objekt në një tokë të parregulluar ligjërisht dhe urbanistikisht.
“Ka procedura, ka rregulla, ka ligje, ka kushtetutë dhe patjetër ti respektojmë të gjitha këto procedura, rregulla, ligje dhe kushtetutë ndërsa ju këtë e dini më mirë sepse gjithashtu jeni prfesoreshë. Unë personalisht do të shkojë në Nerovë dhe do të flas me prindërit e këtyre fëmijëve sepse nuk dua të keqpërdoret politikisht sepse këtyre fëmijëve u duhet arsimim. Unë personalisht do të bëj gjithçka që ata fëmijë të kenë kushte të mira për t’u arsimuar dhe për t’u zhvilluar më tej si individë të pavarur besnikë ndaj atdheut, ligjeve dhe kushtetutës së tyre,” tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Kohë më parë kryetari i Krushevës Toni Hristoski tha për Alsat se do të shqyrtohet çdo mundësi që objekti i ri shkollor mos të rrënohet por të vihet në shërbim të nxënësve dhe stafit mësimor. Sipas kryetarit të Komunës së Krushevës, Tome Hristoski, rreth 90% e objekteve në fshatrat e kësaj komune janë pa plan urbanistik, përfshirë edhe objektin e vjetër shkollor ku nxënësit aktualisht ndjekin mësimin. /alsat.mk