Shefi i Man. Sitit: Një ekip i ri do të jetë gati për Kupën e Botës për Klube

Një sezon zhgënjyes. Verën e kaluar, Man. Siti ishte sërish favoriti numër një në Premier Ligë dhe kandidati për të fituar Ligën e Kampionëve. Në vend të kësaj, erdhi një sezon zhgënjyes. Dëmtimet e vazhdueshme dhe në veçanti mungesa e gjatë e Rodri ndikuan në rezultate.
Kështu, në zyrat e “Etihad Stadium” u përpoqën ta kthenin skuadrën në rrugën e duhur gjatë merkatos së dimrit, duke sjellë katër lojtarë të rinj.
“Duke parë verën e kaluar, mendoj se duhet të ishim më agresivë në disa nga ndryshimet që duhej të bënim”, tha Khaldoon Al Mubarak, shefi i Sitit.
“Ne nuk e bëmë dhe në fund na kushtoi sezonin. Në janar erdhën katër lojtarë, gjë që ju jep një ide se çfarë na pret këtë verë. Ne do të vazhdojmë kështu, duke u përpjekur të plotësojmë nevojat e klubit”, deklaroi pronari i “citizens”, që konfirmoi mbështetjen e tij për Pep Guardiola.
Sheiku premton të shpenzojë miliona javët e ardhshme.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë, me një vizion të qartë. Qëllimi ynë është të kemi një ekip të ri gati për Kupën e Botës për Klube“.
Ndër emrat që përfliten janë ato të, Rajan Çerki, Tijjani Reijnders dhe Morgan Gibs Uajt.