Propozim-Ligji për Vetëqeverisje Lokale nuk u procedua as sot drejtë votimit
Propozim-Ligji për Vetëqeverisje Lokale nuk u procedua as sot drejtë votimit

Gazetar: Zekirija Haxhiu
Ndonëse ishte i vendosur në rend dite, propozim-Ligji për Vetëqeverisje Lokale përsëri u tejkalua dhe nuk u nxor në votim. Sot deputetët diskutuan dhe votuan vetëm një pikë. Kjo irritoi Frontin Evropian.
“Siç duket kjo seancë që u përcaktua ditën e djeshme, nuk e di çfarë ishte urgjenca për një pikë të vetme të vijmë 120 deputetë në Kuvend të bëjmë të gjitha ato shpenzime rrugore për të cilat shpesh herë marrim kritika e aq më tepër që për sot është përcaktuar karavani parlamentar në qytetin e Tetovës”, deklaroi Arbana Pasholli – Fronti Evropian.
Propozim-Ligji për Vetëqeverisje Lokale në fakt do të duhet të pres edhe shumë kohë, pasi për të kaluar, nevojitet edhe shumicë të badenterit, gjë që shumica parlamentare për momentin nuk e ka. Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN, Bekim Qoku, për Alsat shprehet se me këto ndryshime ligjore nuk rrezikohet numri i këshilltarëve por se ndryshimet bazohen në ligjin aktual nga viti 2002.
“Opozita, BDI-ja kryesisht manipulon në emër të këtij parimi, sidomos sa i përket ligjit për vetëqeverisje lokale sepse në këtë propozim ndryshim ligj, sepse ligji ekziston nga viti 2002, kanë punuar ekspertë nga gjitha etnitë, pra ka pasur edhe profesorë dhe ekspertë shqiptarë me të cilët kemi kontaktuar dhe nuk kanë vërejtje në këtë ndryshim propozim ligj”, tha Bekim Qoku – Koordinator i VLEN.
Qoku mohon të jenë ndarë qytetarët në rezidentë dhe jo rezidentë në ndryshimet e propozuara. Thotë se qytetarët nga mërgata janë mashtruar duke u regjistruar online.
“Kjo është propaganda dhe mashtrimi që po e bënë BDI-ja. Nuk figuron në asnjë pozicion në ligj termat, rezident dhe jo rezident. Në këtë propozim ligj nuk ekziston kjo ndarje. Nuk ka asnjë nen, asnjë paragraf të nenit ku përmendet kjo ndarje”, shtoi Bekim Qoku – Koordinator i VLEN.
Nga Fronti Evropian nuk e kanë ndërmend të mbështesin këtë propozim ligj, madje dje në pyetje deputetësh, deputetja Ilire Dauti kërkoi që e njëjta të tërhiqet mbrapsht sepse siç tha, kjo mund të çojë madje deri në përjashtimin e mërgatës nga listat e votimit. Ndaj kësaj kërkese, kryeministri Hristijan Mickoski doli me një ofertë të re, që Maqedonia e Veriut të bëhet me vetëm një zonë zgjedhore. Ish kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi ditë më parë kërkoi që të gjithë deputetët shqiptarë të tërhiqen nga ky votim dhe të pamundësojnë ndryshimet. Propozim-ligji parashikon jo vetëm rregullimin e statistikave demografike, por edhe referendumin për largimin e kreut të komunës, mundësi që aktualisht nuk ekziston me ligjet që ndodhen në fuqi. /Alsat.mk