Si të lehtësoni dhimbjen e kokës? Mënyra të thjeshta dhe natyrale
Si të lehtësoni dhimbjen e kokës? Mënyra të thjeshta dhe natyrale

Dhimbjet e kokës janë një gjendje e zakonshme me të cilën përballen shumë njerëz çdo ditë.
Ato mund të variojnë nga të pakëndshme deri në të padurueshme, duke ndikuar ndjeshëm në jetën e përditshme. Ekzistojnë disa lloje të dhimbjeve të kokës, ku më e zakonshmja është dhimbja e kokës nga tensioni.
Dhimbjet klaster janë shumë të forta dhe ndodhin në grupe apo “klastera”, ndërsa migrenat janë dhimbje mesatare deri në të forta që mund të zgjasin me orë apo ditë.
Edhe pse shumë medikamente përdoren për trajtimin e dhimbjeve të kokës, ekzistojnë gjithashtu disa mënyra natyrore dhe efektive për t’i lehtësuar ato.
Lexoni më poshtë disa prej kurave më të mira natyrale në kushte shtëpie për të hequr qafe dhimbjet e kokës.
Pini ujë
Dehidratimi (mungesa e lëngjeve) është një shkaktar i zakonshëm i dhimbjeve të kokës.
Studimet kanë treguar se mungesa e ujit në organizëm jo vetëm që mund të shkaktojë dhimbje koke, por gjithashtu mund të ndikojë te përqendrimi dhe të rrisë nervozizmin – duke e përkeqësuar ndjesinë e dhimbjes.
Fatmirësisht, pirja e mjaftueshme e ujit gjatë ditës mund të ulë frekuencën, kohëzgjatjen dhe ashpërsinë e dhimbjes së kokës te shumë njerëz.
Për të shmangur këtë lloj dhimbjeje, rekomandohet të pini ujë rregullisht dhe të konsumoni ushqime të pasura me ujë, si frutat dhe perimet.
Merrni magnez
Magnezi është një mineral i rëndësishëm për shumë procese në trup, përfshirë rregullimin e sheqerit në gjak dhe transmetimin nervor.
Interesante është se ai mund të ndihmojë edhe në parandalimin apo lehtësimin e dhimbjeve të kokës.
Studimet kanë treguar se mungesa e magnezit është më e shpeshtë te personat që vuajnë shpesh nga migrena.
Shtesat ushqimore me magnez – në forma dhe doza të ndryshme – janë treguar efektive për uljen e shpeshtësisë dhe intensitetit të migrenave.
Për shembull, 600 mg magnez citrat në ditë mund të ndihmojë në reduktimin e dhimbjeve të kokës tek ata që vuajnë nga migrena.
Kufizoni alkoolin
Edhe pse konsumimi i një pije alkoolike nuk shkakton domosdoshmërisht dhimbje koke te të gjithë, studimet tregojnë se për rreth një të tretën e atyre që vuajnë shpesh nga dhimbje koke, alkooli është një shkaktar i migrenës.
Konsumi i alkoolit është gjithashtu një faktor rreziku për dhimbjet nga tensioni dhe dhimbjet klaster, të cilat janë ndër më të fortat.
Mendohet se alkooli mund të shkaktojë dhimbje koke në disa mënyra: duke nxitur inflamacionin, duke aktivizuar rrugë nervore specifike, duke çuar në dehidratim apo duke zgjeruar enët e gjakut – megjithëse mekanizmi i saktë mbetet ende i paqartë.
Sigurohuni që flini mjaftueshëm
Mungesa e gjumit mund të ndikojë negativisht në shëndet dhe është një shkaktar i mundshëm i dhimbjeve të kokës.
Kërkimet tregojnë se cilësia e dobët e gjumit dhe pagjumësia lidhen me rritjen e frekuencës dhe intensitetit të dhimbjeve të kokës.
Gjithashtu, personat që vuajnë nga apnea e gjumit – një gjendje kur frymëmarrja ndërpritet përkohësisht gjatë gjumit – shpesh përjetojnë dhimbje koke në mëngjes.
Po ashtu, pagjumësia është e lidhur me rritjen e ashpërsisë së dhimbjes tek ata që vuajnë nga dhimbjet e kokës nga tensioni.