E Çuditshme/ Mungojnë shumica e deputetëve për ta votuar propozimin që zona përreth Kuvendit të shpallet si zonë e sigurt

E Çuditshme/ Mungojnë shumica e deputetëve për ta votuar propozimin që zona përreth Kuvendit të shpallet si zonë e sigurt

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Ndonëse deputetët në Kuvend thuajse asnjëherë nuk dinë të bëhen bashkë për të votuar ligje në interes të qytetarëve, u bënë bashkë shumë lehtë kur bëhet fjalë për interesat, respektivisht për sigurinë e tyre në Kuvend, shkruan Alsat.

Me propozim të kryetarit të Kuvendit, e me mbështetje të të gjitha partive politike, në Kuvend është propozuar që e gjithë zona përreth Kuvendit të shpallet si zonë e sigurt. Megjithatë, kur erdhi koha për t’u votuar, nuk pati kushte sepse shumica e deputetëve nuk ishin prezent.

“E gjithë zona prapa Kuvendit ku për momentin shfrytëzohet si parking por edhe pjesa ku është paraparë të ndërtohet një parking në kate, nga tani e tutje do të jetë zonë e sigurt e Parlamentit ku do të ndalohet çdo kryerje e aktiviteteve ndërtimore, çdo manifestim çdo tubim dhe çdo protestë e qytetarëve”, raporton gazetari i Alsat, Zekirija Haxhiu.

Propozim ligji parashikon edhe ndalesë të xhirimit me dron mbi zonën e sigurt, në lartësi deri në 100 metra. Sipas deputetëve, qëllimi i këtij propozim ligji nuk është se ata nuk ndihen të sigurt, por sigurimi i parcelës ku ishte paraparë të ndërtohet garazh në kate, parcelë e cila ishte shitur për 330 mijë euro në vitin 2013 nga qeveria e atëhershme e Nikolla Gruevskit. Garantojnë se qëllimi nuk është të kufizohen protestat.

“Jo jo absolutisht. Sot nga të gjitha anët po e dëgjoj këtë. Kufizohen vetëm këndet përfundimtare të Kuvendit e ajo është fillimi i bulevardit “11 Tetori” nga kjo anë, nga ana tjetër, mos më kapni për fjale, deri te statistikat, deri te shtëpia e ARM-së”, tha Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.

“Në asnjë shtet normal nuk mundet të lejohet që në 2,5 metra afër kuvendit të keni pronar privat i një garazhi në kate i cili do të ndërtohej afër objektit me rëndësi vitale dhe interes nacional. Pikërisht për këtë u ngrit iniciativa të veprohet menjëherë pas konstituimit të Kuvendit”, tha Oliver Spasovski, LSDM.

Siç thuhet në propozim ligj, qëllimi është që të mundësohet qasje e lirë të deputetëve apo personave të tjerë që marrin pjesë në punën e Kuvendit por edhe se do të sigurohen deputetët, objekti dhe hapësira rreth Kuvendit. Qasja e lirë do të thotë që nëse ka protesta para Kuvendit, deputetët të mund të hyjnë lirshëm në vendin e punës. Propozim ligji është dorëzuar me procedurë të shkurtuar./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button