Verstapen kërkon falje për incidentin: Bëra një veprim të gabuar

Pas një gare plot tension dhe polemika në fundin e saj, Maks Verstapen më në fund bëri atë që e bën rrallë publikisht: Të pranojë një gabim. Në profilin e tij zyrtar në Instagram, 4 herë kampioni i botës në Formula 1 pranoi përgjegjësinë e tij për aksidentin e shkaktuar ndaj Xhorxh Rasell. Holandezi mori një dënim prej 10 sekondash në garë dhe iu hoqën 3 pikë nga superliçensa e tij. Kjo ka bërë që ai të jetë vetëm një pikë larg skualifikimit me një garë në rast se gabon sërish.
“Në Barcelonë patëm një strategji emocionuese dhe një garë të mirë, derisa doli makina e sigurisë”, tha Verstapen.
“Zgjedhja jonë e gomave për fundin dhe disa lëvizje pas rinisjes pas makinës së sigurisë nxitën zhgënjimin tim, duke çuar në një manovër që nuk ishte e drejtë dhe nuk duhej të kishte ndodhur. Unë gjithmonë jap gjithçka për ekipin dhe emocionet mund të jenë të larta. Së bashku fitojmë, së bashku humbim. Shihemi në Montreal”, tha Verstappen.
Ajo që ndoshta mungon në këtë falje është një lloj falje publike për pilotin e Mercedes, Xhorxh Rasell, i cili nuk përmendet kurrë në post dhe që në rrethana u bë viktima e pafajshme e zemërimit të Verstapenit. Kush e di nëse mes të dyve, të paktën privatisht, ka pasur një lloj sqarimi.