Inspektorati/ Sela: Të përgatitet ligj i ri
Inspektorati/ Sela: Të përgatitet ligj i ri

Gazetar: Suad Bajrami
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela lidhur me ngërçin në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, deklaroi që bashkëndjen me të punësuarit që nuk kanë marrë rroga tanimë 5 muaj dhe për atë gjithsesi duhet të gjendet zgjidhje, megjithatë çështja nuk duhet të shihet nga dimensioni i rrogave.
“Prandaj, teza që hidhet në opinion që kanë ngelur pa paga dhe hajt tani të bëjmë çmos që të ju sigurojmë paga, pa mbajtur llogari që po dëmtojmë implementimin e Ligjit për Gjuhët dhe gjuhën shqipe mendoj që është e ulët nga subjektet politike që e plasojnë këtë tezë”, tha Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Zgjidhja, sipas Selës duhet të bëhet nëpërmjet përgatitjes së ligjit i cili krahas statusit juridik, duhet të zgjidh edhe mekanizmin e ndëshkimit për institucionet që nuk e respektojnë Ligjin e Gjuhëve.
“Mendoj që Qeveria në qoftë se do me gjithë mend të gjejë zgjidhje të mos vijë këtu dhe të kërkojë vetëm votë për Badinter, por të vijë të kërkojë të ulemi dhe të përgatisim një Ligj për Inspektoratin e Gjuhëve, ligj i cili do ta rregullonte njëherë e përgjithmonë edhe statusin juridik të Inspektoratit të Gjuhëve. Të rregullohet edhe çështja e gjobave dhe dënimeve që ky inspektorat duhet t’u bëjë institucioneve”, u shpreh Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Kaosi në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve ndodh për shkak se mazhoranca nuk ka shumicë Badinteri për t’i votuar ndryshimet e Ligjit për Inspektoratin, me qëllim që të harmonizohet me Ligjin për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore. Për këtë ligj të cilin e kishte propozuar VMRO-DPMNE-ja, krahas partnerëve të koalicionit, mbështetje kishin dhënë edhe deputetët e BDI-së.
Megjithatë, as shumica parlamentare e as opozita, nuk kishin parashikuar një situatë të këtillë që Inspektoratin ta lënë në mes të katër rrugëve, të paralizuar. Respektivisht, t’i merret statusi juridik me një ligj, ndërsa të ketë status juridik në fuqi me dy ligje të tjerë, respektivisht Ligjin për Gjuhët dhe Ligjin për Inspektoratin.
Interpretimet ligjore kanë shkaktuar bllokadë. BDI-ja nga e cila varet shumica e Badinterit, refuzon të mbështesë ndryshimet e ligjit pasi sipas tyre, kjo nuk po bëhen për rrogat, por për ta shuar Inspektoratin. Nga VLEN, theksojnë që megjithatë kjo është vetëm një zgjidhje e përkohshme pasi që planet janë që Inspektorati të bëhet pjesë e Agjencisë së Gjuhëve dhe me këtë, t’i jepen kompetenca më të fuqishme për të ndëshkuar institucionet./ Alsat.mk