BDI-ja e festoi 23 vjetorin duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe paralelisht duke treguar mirënjohje për Taravarin që la Qeverinë
BDI-ja e festoi 23 vjetorin duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe paralelisht duke treguar mirënjohje për Taravarin që la Qeverinë

Gazetar: Zekirija Haxhiu
BDI-ja 23 vjetorin e themelimit e festoi në parkun e Çairit, ish bastioni i partisë së Ali Ahmetit për 22 vjet. Në festë munguan disa ish funksionarë që aktualisht ndodhen në arrati ose arrest shtëpiak
Në prezencë të qindra mbështetësve, Ahmeti i bëri thirrje Qeverisë që mos ta akuzojnë BDI-në për krim dhe korrupsion, por të realizojnë veting. Përshëndeti largimin e Taravarit nga Qeveria ndërsa në emër të Frontit Evropian, tha se janë të përcaktuar për zgjedhje të parakohshme parlamentare në tetor, bashkë me ato lokale.
“Partitë politike në Front veprojnë dhe koordinohen. Siç thash edhe më lart, jemi në kontakt me forca politike konstruktive në vend dhe mendojmë që në zgjedhjet lokale, ne do të jemi një front i fortë në realizim të synimeve dhe qëllimeve tona për të qeverisë me sukses komunat por njëherit gjithashtu jemi fort të përcaktuar që bashkë me zgjedhjet lokale të bëhen edhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare”, tha Ali Ahmeti – Kryetar i BDI-së.
Me të përfunduar tubimi, nuk vonoi mesazhi i zv.kryeministrit Izet Mexhiti. “Çairi t’i fik dritat” shkroi Mexhiti, duke i dërguar porosi Ahmetit për peshën politike të Çairit. Ashtu si sonte, do të dështojnë edhe në tetor, shkroi Mexhiti.
“Çairi t’i frik dritat! Nëse dikush ende ka dilema mbi peshën politike të Çairit, le ta pyet Ali Ahmetin! Sonte në Çair dështuan, ashtu siç dështuan para një viti, ashtu siç do të dështojnë në tetor. Sepse Çairi nuk fal, Çairi nuk harron. Sonte Çairasit ua dhanë përgjigjen më se të merituar të gjithë atyre që po i ofendojnë për çdo ditë në media: Çairi t’i fik dritat! Kështu festa e ditëlindjes të kthehet në terr. E ndoshta më mirë, që të vazhdosh festën me iluzionin se je uragan i pamposhtur, e në fakt ke ngelë me një grusht njerëzish të lidhur nga interesi apo frika nga drejtësia.
Çairi t’i frik dritat
Sonte në Çair dështuan
Çairi nuk fal, Çairi nuk harron”, ka shkruar Izet Mexhiti – Zv.kryeministër.
Në prag të zgjedhjeve lokale në tetor, ndryshe nga VLEN të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e përbashkët si një subjekt politik në zgjedhje, te blloku opozitar shqiptar edhe më tej nuk është e qartë se si do të bëhet ndarja e komunave për partitë pjesëmarrëse në front. Së fundmi kreu i ASH-së Ziadin Sela, i bëri me dije Ahmetit se nëse nuk e ndanë Strugën për ASH-në, atëherë nuk do të kishte kuptim prezenca e tyre brenda frontit./Alsat.mk