Filkov u shfaq në publik, por për aktivitete partiake
Filkov u shfaq në publik, por për aktivitete partiake

Gazetar: Mihajllo Donev
Qëllimi ynë nuk është të jemi artistë estrade, por të ofrojmë diçka për qytetarët. Në këtë mënyrë iu përgjigj Ministri i Drejtësisë Igor Fillkov pyetjes së Alsat se përse shfaqet kaq rrallë në publik dhe pse nuk komenton ngjarjet e përditshme në gjyqësor. Fillkov mbajti sot konferencë për media në emër të Lëvizjes ZNAM, në të cilën, përveç aktiviteteve partiake, ai refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve që lidhen me dikasterin e tij.
“Edhe një herë, do të doja t’ju kërkoja të keni durim edhe ndonjë ditë tjetër për konferencën në Ministrinë e Drejtësisë……Ne në Ministrinë e Drejtësisë kemi punuar shumë prej një viti tashmë dhe po punojmë në procese që nuk kërkojnë publicitet, por përkundrazi kërkojnë këmbëngulje dhe rezultate. Sa herë që kemi diçka për të thënë, ne dalim publikisht, por jo me qëllimin për të qenë artistë estrade, por për të realizuar atë që u premtuam qytetarëve, dhe kjo është ajo që bëjmë”, tha Igor Filkov, Kryetar i Bordit Qendror të ZNAM dhe ministër i Drejtësisë.
Nikolla Memov, përgjegjës për marrëdhëniet me publikun në partinë ZNAM ishte gjithashtu i pranishëm në konferencën për media, dhe në mbrojtje të kolegut të tij të partisë, ai i quajti tendencioze pyetjet e gazetarëve në lidhje me gjyqësorin. Filkov njoftoi konferencë për gazetarët javën e ardhshme, në të cilën tha se do të bëhen të ditura të gjitha aktivitetet e Ministrisë së Drejtësisë në fushën e gjyqësorit. Në këtë konferencë pritet gjithashtu të jepen përgjigje se çfarë do të ndodhë me ligjet e reja për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin për Prokurorët Publikë, të cilat duhet të miratohen sipas agjendës së reformave.
Afati për miratimin e Ligjit të ri për këshillin gjyqësor u njoftua se do të shtyhet, por ende nuk dihet se deri kur. Që kur Igor Filkov mori detyrën si Ministër i Drejtësisë vitin e kaluar, publiku rrallë ka pasur mundësinë të dëgjojë se çfarë planifikohet në gjyqësor, dikaster që mbetet me nivelin më të ulët të besimit midis qytetarëve me vetëm dy përqind./Alsat.mk