Ramiz Merko shpallët i pafajshëm për Audinë prej 67 mijë euro
Ramiz Merko shpallët i pafajshëm për Audinë prej 67 mijë euro

Gazetar: Suad Bajrami
Gjykata Themelore e Strugës e ka shpallur të pafajshëm kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko lidhur me blerjen e veturës luksoze Audi në vlerë prej 67 mijë eurosh dhe disa veturave tjera në vlerë prej 47 mijë euro, derisa komuna ishte e zhytur në borxhe dhe me llogari bankare të bllokuar. Sipas gjykatësit të lëndës Jordan Jovanov, arsyeja e aktgjykimit lirues është mungesa e bazës për përgjegjësi penale, pasi sipas tij, me veprën askush nuk është dëmtuar apo përfituar.
Rastin për blerjen e Audisë e ngriti përbërja e kaluar e Antikorrupsionit, gjegjësisht në vitin 2019-të dorëzoi kallëzim në Prokurori, megjithatë pesë vite më vonë u ngrit akuzë. Me të njëjtën ai ndiqej për shpërdorim të detyrës zyrtare sipas nenit 353 paragrafi 4 të Kodit Penal, që parashikohet dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet.
Akuza, erdhi një vit pasi Merko u fut në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të përfshirjes në korrupsion të konsiderueshëm. Departamenti i Shtetit Amerikan njoftoi se derisa ka shërbyer si kryetar i Strugës, Merko ka përvetësuar fonde dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike. Megjithatë, përbërja e kaluar e Antikorrupsionit alarmoi se Merkon e kanë mbrojtur thuajse të gjitha institucionet gjyqësore me qëllim që t’i shmanget drejtësisë.
Kjo, lë hapësirë dyshimi duke e pasur parasysh se SHBA e ka sanksionuar Merkon në bazë të nenit 7031(c) i cili aplikohet në raste kur SHBA ka siguruar prova për përfshirjen e ndonjë funksionari të huaj, në korrupsion madhor. Por, këtë korrupsion madhor i cili i faturohet funksionarit të lartë të BDI-së, institucionet e Maqedonisë nuk e kanë parë.
Me futjen në Listën e Zezë u ngjallën veprimet e institucioneve. Gjatë një kontrolli të posaçëm në organin e akuzës në Strugë u konstatua se Merko dyshohet për të paktën 30 vepra penale, gjysma e të cilave ishin vjetruar për shkak të mosveprimit në kohë të institucioneve. Pas kësaj, ndaj tij rënduan një sërë akuzash dhe hetime të reja për shpërdorim me detyrën zyrtare. Mes tjerash, vijojnë dhe procese gjyqësore për emërimin e paligjshëm të disa drejtorëve në shkollat e Strugës, megjithatë ende nuk kanë epilog gjyqësor. /Alsat.mk