Sekuestrohen armë e municion në Kosovë, mbi 3 mijë gjoba në trafik
Sekuestrohen armë e municion në Kosovë, mbi 3 mijë gjoba në trafik

Zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës, gjatë javës së kaluar, kanë realizuar 156 urdhëresa të gjykatës në lokacione të ndryshme, përmes aksioneve të ndara në terren.
Sipas njoftimit zyrtar, 21 nga këto urdhëresa lidhen me vepra penale, ndërsa pjesa tjetër përfshin kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe urdhëresa të tjera procedurale. Të dënuarit me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata me gjoba janë liruar pasi kanë kryer obligimet e përcaktuara.
Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në sferën e sigurisë publike dhe asaj rrugore. Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar pesë armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe sasi e konsiderueshme e municionit.
Në aspektin e sigurisë në trafik, Policia ka shqiptuar gjithsej 3,366 gjoba administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Prej tyre, 568 janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe automjeteve me radarë mobilë.
Policia e Kosovës vazhdon të theksojë rëndësinë e zbatimit të ligjit dhe sigurinë e përgjithshme si përparësi në shërbim të qytetarëve.