Xhaka i thot “Po” ofertës së Milanit, nisin bisdet mes klubeve

Milani nuk e ka ndërmend të heq dorë nga Granit Xhaka derisa ta transferojë atë në San Siro. Ylli i Bayer Leverkuzenit i përshtatet mjaft mirë formacionit që e ka në mendje trajneri Massimiliano Allegri, të cilit do t’i sillte eksperiencë dhe personalitet në ekipin Kuqezi për sezonin e ardhshëm.

Në orët e fundit ka qenë një sinjal i fortë i gatishmërisë nga ana e përfaqësuesit zviceran për t’u transferuar në Milanello. Sidoqoftë, tash duhet të bindet klubi gjerman për ta lënë atë të lirë dhe kjo nuk do të jetë e lehtë assesi, shkruan “La Gazzetta dello Sport”.

Drejtori i ri sportiv, Igli Tare pritet t’i zhvillojë kontaktet e para me Bajer Leverkuzenin këtë javë në mënyrë që t’i afrohet ish-futbollistit të Bazelit, Borusia Mynshenglladbahut dhe Arsenalit. Në ditët në vazhdim, “Rossoneri” do ta lansojnë ofanzivën e tyre, duke shpresuar që t’i investojnë pak më shumë se 10 milionë euro, duke e pasur parasysh se po flasim për një futbollist 32 vjeçar.

“Farmaceutikët”, nga ana e tyre, nuk e kanë me doemos shitjen e Xhakës, i cili ka kontratë me ta deri në vitin 2028, pasi tashmë kanë bërë para nga shitja e tre prej lojtarëve kryesorë: Tah, Frimpong e Virtz. Shpresa e vetme për kuqezinjtë është tek dëshira e futbollistit, i cili është i gatshëm ta bëjë këtë lëvizje duke e pasur parasysh largimin e disa lojtarëve dhe të trajnerit Çabi Alonso.

Në këmbim, Leverkuzeni mund t’ia kërkojë Milanit qendërmbrojtësin gjerman, Malik Tiav, i cili vlerësohet së paku 25 milionë euro nga drejtuesit e gjigantit italian. Krahas Xhakës, Milani po e kërkon edhe futbollistin tjetër shqiptar që e përfaqëson Zvicrën, Ardon Jashari, i cili e pati një sezon fantastik duke u zgjedhur futbollisti më i mirë i vitit në Belgjikë.

LEXO EDHE:

Back to top button