Sulmet e Izraelit ndaj Iranit mund të prekin rëndë industrinë e naftës në nivel global
Sulmet e Izraelit ndaj Iranit mund të prekin rëndë industrinë e naftës në nivel global

Bursat botërore janë tronditur duke shënuar rënie, për shkak të rritjes enorme të çmimit të naftës bruto, e cila vazhdon kursin progresiv që prej të premtes kur nisën sulmet e ndërsjella mes Izraelit dhe Iranit. Indeksi S&P 500 ra me 1.1% të premten. Doë Jones Industrial Average pësoi një rënie prej 1,8%, ndërsa Nasdaq Composite u ul me 1.3%. Lëvizja më e fortë u shënua në tregun e naftës, ku çmimet e saj u rritën me 7.3%, duke u rikthyer në nivelin e tyre nga fillimi i këtij viti. Sulmet ndaj objektivave bërthamore dhe ushtarake të Iranit, sipas një pjese të analistëve ekonomikë mund të dëmtojë furnizimin global me naftë dhe ekonominë botërore në përgjithësi. Analistët thonë se bashkë me çmimin e naftës, nuk përjashtohet edhe përshpejtimi i inflacionit. Alarmin për tregjet e ndezi edhe BE-ja.
Duke folur para hapjes së samitit të G7-ës, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se e kishte diskutuar çështjen me presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe se të dy ishin të përgatitur të koordinoheshin me partnerë “të të njëjtit mendim” për të siguruar stabilitetin e tregut. Von der Leyen nuk tregoi se çfarë masash konkrete mund të merret, sidomos në kushtet që Rusia se mbetet jashtë kësaj kombinatorike, pasi është nën sanksione për shkak të konfliktit me Ukrainën. E para që i ka ndjerë efektet e konfliktit Izrael-Iran është Gjermania, ku çmimet e benzinës dhe naftës u rritën ndjeshëm gjatë fundjavës, sipas të dhënave nga shoqata e automobilave ADAC. Rritjet vijnë me arsyetimin nga Irani, se sulmet ajrore izraelite kanë dëmtuar edhe infrastrukturën kryesore të naftës dhe gazit iranian./Alsat.mk