Arrestohen tre tetovarë, akuzohen për tejkalim të shpejtësisë
Arrestohen tre tetovarë, akuzohen për tejkalim të shpejtësisë

Tre persona nga Tetova dhe rrethina janë arrestuar nga Policia për shkak të ngasjes me shpejtësi ekstreme në rrugë me kufizim të qartë të shpejtësisë.
Gjatë ditës së djeshme diku në orën 17:40, në aksin rrugor Tetovë–Gostivar, është ndaluar Sh.F. (45) nga Tetova. Gjatë kontrollit policor, është konstatuar se ai po drejtonte një veturë të tipit BMW me targa të Tetovës, duke arritur shpejtësinë 180 km/h, në një zonë ku kufiri maksimal i lejuar është 80 km/h.
Vetëm 10 minuta më vonë, në të njëjtën rrugë, policia ka arrestuar I.S. (36) nga fshati Poroj, i cili drejtonte një veturë Audi, gjithashtu me targa të Tetovës, me shpejtësi 153 km/h.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës, në orën 10:19, është ndaluar edhe F.I. (34) nga fshati Bogovinë, i cili me veturën e tij BMW ka qarkulluar me 153 km/h, jashtë zonës së banuar në Tetovë, ku shpejtësia maksimale e lejuar ishte po ashtu 80 km/h.
Të tre personat janë ndaluar në Stacionin Policor për procedura të mëtejshme. Ndaj tyre do të ngrihen kallëzime penale në përputhje me nenin 297-a të Kodit Penal – “Drejtim i pamatur dhe i rrezikshëm i automjetit”.