Chris Brown bën shaka për burgun “e këndshëm” teksa nis turneun në MB

Chris Brown bën shaka për burgun “e këndshëm” teksa nis turneun në MB

Këngëtari amerikan Chris Brown ka nisur turneun e tij në Mbretërinë e Bashkuar në Manchester, disa ditë përpara se të paraqitet përsëri në gjykatë, pasi u arrestua muajin e kaluar në këtë qytet, raporton BBC.

Ylli fitues i çmimit Grammy performoi për mijëra fansa në arenën Co-op Live të Manchesterit të dielën, me një seri koncertesh të tjera që do të pasojnë në qytete të tjera.

Të premten, ai do të paraqitet në gjykatë në Londër për seancën më të fundit, pasi është akuzuar për dëmtime të rënda trupore në lidhje me një sulm të supozuar në një klub nate në vitin 2023. 36-vjeçari, i cili është liruar me kusht pas një garancie prej 5 milionë paundësh, ende nuk është kërkuar të deklarojë fajësinë apo pafajësinë.

“Faleminderit që erdhët dhe më mbështetët”, u tha ai fansave në Manchester. “Dhe faleminderit edhe për burgun”, tha me shaka, duke iu referuar kohës së kaluar në paraburgim pas arrestimit. “Ishte vërtet shumë këndshëm”. Gjatë koncertit u shfaq një video-montazh me momentet më të larta dhe të ulëta të karrierës së tij, përfshirë edhe disa klipe të shkurtra të lajmeve televizive jashtë gjykatës në Manchester pas arrestimit të tij, të cilat u pritën me brohoritje mbështetëse nga fansat e tij besnikë.

Ylli akuzohet se ka kryer një “sulm të paprovokuar” ndaj një producenti muzikor me një shishe tekile në një klub nate në Londër gjatë turneut të tij të fundit në MB në vitin 2023.

Ai u arrestua kur u kthye në vend një muaj më parë, kur hetues nga Policia Metropolitane e Londrës udhëtuan në hotelin ku ai po qëndronte në Salford, Greater Manchester.

Ai u mbajt në paraburgim për gati një javë, përpara se të lirohej pas marrëveshjes për të paguar një shumë sigurie prej 5 milionë paundësh ndaj gjykatës.

Një shumë sigurie është një garanci financiare për të siguruar që i pandehuri të kthehet në gjykatë. Brown mund të humbasë këto para nëse shkel kushtet e lirimit me kusht.

Megjithatë, gjykatësi ra dakord që këngëtari të vijojë me turneun e tij si pjesë e kushteve të lirimit me kusht, dhe ai performoi natën e parë në Amsterdam fundjavën e kaluar.

Turneu i këngëtarit, “Breezy Bowl XX”, po shënon 20 vjetorin e tij në industrinë muzikore.

Ai hyri në skenë në Manchester mes britmave të turmës së shitur plotësisht dhe e hapi shfaqjen me këngën Run It, hiti që i dha famë kur ishte 16 vjeç.

Në total, ai ka pasur 19 këngë në top 10 në Mbretërinë e Bashkuar, dhe interpretoi shumicën prej tyre të dielën, përfshirë hitet si Turn Up The Music, Freaky Friday, With You dhe Don’t Wake Me Up.

Javën e kaluar, ai fitoi çmimin për artistin më të mirë mashkull në kategorinë R&B/pop në BET Awards në Los Angeles.

Pas performancës së tij të dytë në Manchester të hënën, ai do të vazhdojë me një koncert në Principality Stadium në Cardiff të enjten.

Ai më pas do të paraqitet në gjykatë të premten me bashkëpandehurin e tij, Omololu Akinlolu, një 38-vjeçar që performon me emrin HoodyBaby, gjithashtu nga SHBA.

Pas seancës gjyqësore, Brown është planifikuar të performojë në stadiumin e Tottenham Hotspur në Londër të shtunën dhe të dielën, e më pas do të vazhdojë me koncerte të tjera në stadiume në Birmingham, Glasgow dhe dy data të tjera në arenën e Manchesterit.

LEXO EDHE:

Back to top button