Mickoski është bindur nga seanca e komisionit të jashtëm në Parlamentin Evropian se gjuha dhe identiteti nuk janë betonizuar
Mickoski është bindur nga seanca e komisionit të jashtëm në Parlamentin Evropian se gjuha dhe identiteti nuk janë betonizuar

Gazetare: Fatlume Dervishi
Përpjekja e një dite më parë që gjuhës dhe identitetit maqedonas t’i shtohet përcaktimi “modern”, në Komisionin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, hodhi poshtë zotimet e deritanishme se gjuha dhe identiteti nuk do të preken.
“Më pyetët a është fitore e vogël? Jo, për mua është zhgënjim i madh sepse dje ishim dëshmitar se si në kryeqytetin e Evropës, në Bruksel pati përpjekje nga disa eurodeputetë të krijohet komb dhe gjuhë e re në shekullin 21 në Evropë. Po ajo që na bën neve të lumtur është që as gjuha dhe as identiteti nuk janë beton ashtu si disa mashtrues në politikë u përpoqën të na bindin tre vitet e shkuara, pa marrë parasysh a janë nga vendi ose nga jashtë. Gjithë atë që e kemi thënë nga fillimi, dje u vërtetua për pak minuta. Problem nuk janë bullgarët në kushtetutë por problem janë gjuha dhe identiteti maqedonas”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Gjatë debatit në Komisionin për Punë të Jashtme të PE-së, me shumicë votash u shmang ajo për të cilën ditë më parë paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski. Gjuha dhe identiteti maqedonas nuk morën përshkrimin shtesë “modern”, pavarësisht amendamentit që u prezantua nga një pjesë e deputetëve. Deputetët bullgar në këtë debat informuan që të njëjtin amendament do ta propozojnë edhe në seancë plenare. Mickoski thotë se do të bëjnë përpjekje që kjo të mos kalojë, as në plenare.
E habitur nga paralajmërimi i deputetëve bullgarë në PE u shpreh edhe presidentja Siljanovska e cila konfirmoi se në margjinat e Samitit të NATO-s në Hagë ka takuar kryeministrin bullgar Rosen Zheljazkov, pas të cilit takim tha se beson në miqësi dhe se kjo është e pashmangshme.
Bullgaria, nga ana tjetër, thotë se nuk do të pranojë asnjë ndryshim në kompromisin evropian të arritur me mund. Kështu siguroi presidenti bullgar Rumen Radev në një letër drejtuar udhëheqësve evropianë dërguar mbrëmë pas seancës së Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian, në të cilën u votua Raporti për Maqedoninë. Sipas tij, referencat në gjuhë dhe identitet pa deficione konkrete krijojnë hapësirë për interpretime të ndryshme, “si ato që po bëhen tashmë nga fqinjët tanë jugperëndimorë me pretendimet e tyre për një identitet shekullor maqedonas”, shton Radev. /Alsat.mk