Nga akademia e Borussia Mynshenglladbahut, i bashkohet FC Shkupit

FC Shkupi vazhdon me përforcimet për sezonin e ri, duke shtuar në radhët e veta një talent të ri, por me përvojë të vlefshme në arenën ndërkombëtare. Adonis Milaj. Mesfushori defensiv 20-vjeçar, është afrimi i dytë në Çair dhe pritet të sjellë qetësi, disiplinë dhe cilësi në mesin e fushës.

I formuar në akademinë prestigjioze të Borussia Mönchengladbach, ku ka luajtur për ekipet U17 dhe U19, Adonisi ka ndërtuar themele të forta futbollistike në një ambient profesionist dhe të strukturuar.

Sezonin e fundit, ai ishte pjesë e SC St. Tönis në Gjermani, duke fituar eksperiencë të rëndësishme në futbollin senior. Përveç karrierës së tij në klub, Adonisi ka qenë edhe pjesë e përfaqësueses U19 të Kosovës, duke konfirmuar potencialin e tij edhe në arenën ndërkombëtare.

Te FC Shkupi besojnë se ky transferim përfaqëson jo vetëm investim për të tashmen, por edhe për të ardhmen. Adonisi tashmë është gati të japë gjithçka për fanellën bardhekaltër dhe të ndihmojë skuadrën në realizimin e objektivave për sezonin e ardhshëm.

LEXO EDHE:

Back to top button