Interi gati të firmos me sulmuesin 21 vjeçar të Parmës

Interi është pranë finalizimit të një marrëveshjeje me Parmën për sulmuesin francez Ange-Joan Boni, në një operacion që pritet të mbyllet për 24 milionë euro, sipas raportimeve nga eksperti i merkatos, Fabrizio Romano.
Sulmuesi 21-vjeçar ka qenë prej muajsh në radarët e klubit zikaltër, por interesimi u shtua ndjeshëm pas ardhjes së Kristian Kivut në stolin e Interit si pasues i Simone Inzagit. Për të siguruar shërbimet e Boni-t, drejtuesit e Interit janë detyruar të rrisin ofertën për shkak të konkurrencës nga skuadra gjermane Shtutgart.
Aktualisht, dy klubet janë shumë pranë akordit për një shumë fikse prej 24 milionë eurosh, duke u afruar kështu me kërkesën fillestare të Parmës prej 25 milionë eurosh. Më herët, Interi kishte propozuar një formulë me 22 milionë euro plus 2-3 milionë në formë bonusesh.
Ange-Joan Boni iu bashkua Parmës në verën e vitit 2021 nga skuadra franceze Shaturu dhe ishte një element kyç në ngjitjen e ekipit në Serie A. Në sezonin që lamë pas, ai regjistroi 6 gola dhe 4 asistime në 37 ndeshje të luajtura në elitën e futbollit italian, duke ndihmuar ekipin të siguronte mbijetesën në javën e fundit të kampionatit.
Interi e sheh Boni-n si pasuesin ideal të Markus Turamit në repartin ofensiv, meqenëse sulmuesit Marko Arnautoviç, Hoakin Korrea dhe Mehdi Taremi pritet të largohen gjatë merkatos së verës.
FOTO: Africa Soccer