Liderët e BE-së takohen për të biseduar për sanksione kundër Rusisë, tarifat amerikane dhe Lindjen e Mesme
Liderët e BE-së takohen për të biseduar për sanksione kundër Rusisë, tarifat amerikane dhe Lindjen e Mesme

Krerët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të mblidhen sot në Bruksel për të biseduar për sanksione më të ashpra kundër Rusisë, mënyrat për t’i shmangur tarifat e reja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe mënyrën për ta bërë zërin e tyre të dëgjohet në konfliktet në Lindjen e Mesme.
Shumica e liderëve do të vijnë nga një samit i shkurtër, por intensiv i NATO-s, ku ata u zotuan të mërkurën për një rritje të madhe të shpenzimeve për mbrojtje dhe kufizuan disa prej dallimeve të tyre me presidentin amerikan, Donald Trump.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të marrë pjesë në samitin e BE-së përmes video konferencës, pas takimit të tij me Trumpin të mërkurën në Hagë.
NATO, e udhëhequr nga SHBA-ja, nuk i kushtoi rëndësi Ukrainës gjatë samitit, por lufta e Rusisë në Ukrainë mbetet shqetësimi kryesor për BE-në.
Krerët e bllokut do të bisedojnë për rundin e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë dhe nëse do të vazhdojnë ta mbajnë çmimin tavan për naftën ruse. Këto masa po kundërshtohen nga disa vende, sepse mund t’i rrisin çmimet e energjisë.
Ndërkohë, kërcënimi i Trumpit me tarifa po rëndon mbi BE-në, e cila negocion marrëveshje tregtare në emër të të gjitha 27 vendeve anëtare. Trumpi e sulmoi Spanjën të mërkurën për mosshpenzim të mjaftueshëm në mbrojtje dhe sugjeroi tarifa të reja.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e kritikoi Trumpin për nisjen e një lufte tregtare me aleatë të vjetër.
Liderët evropianë janë gjithashtu të shqetësuar për pasojat nga luftërat në Lindjen e Mesme dhe BE-ja po shtyn për ringjalljen e negociatave diplomatike me Iranin për programin e tij bërthamor.
Vendet anëtare të BE-së kanë mosmarrëveshje të brendshme për të kapërcyer. Ato janë të ndara në lidhje me politikat ndaj Izraelit për shkak të veprimeve të tij në Rripin e Gazës. Dhe, partitë e majta po kritikojnë shefen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për largimin nga drejtimi i politikave klimatike të BE-së në favor të investimeve ushtarake.
Mbrojtja dhe siguria ka gjasa të jenë në krye të agjendës. Samiti do të përfundojë me një deklaratë përfundimtare që do të përcaktojë agjendën e bllokut për katër muajt e ardhshëm dhe do të shërbejë si tregues i ndjesive politike në Evropë mbi çështje kryesore rajonale dhe globale.