Von der Leyen i bën thirrje Hungarisë ta lejojë mbajtjen e Paradës së Krenarisë

Von der Leyen i bën thirrje Hungarisë ta lejojë mbajtjen e Paradës së Krenarisë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u ka bërë thirrje autoriteteve hungareze për ta lejuar mbajtjen e Paradës së Krenarisë në Budapest, pasi policia e ndaloi zhvillimin e saj.

Në një reagim në platformën X, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha se Komisioni Evropian duhet të përmbahet nga ndërhyrjet në çështjet e zbatimit të ligjit në vendet anëtare të bllokut, “ku nuk ka asnjë rol për të luajtur”.

Policia hungareze ndaloi javën e kaluar marshimin e caktuar për të shtunën nga komuniteti LGBTQ, duke u thirrur mbi një ligj të miratuar në mars, i cili thotë se mbrojtja e fëmijëve duhet të ketë përparësi ndaj të drejtës për tubim.

Megjithatë, kryetari liberal i Budapestit dhe organizatorët e aktivitetit deklaruan se marshimi do të zhvillohej pavarësisht ndalimit, pasi ai cilësohet si aktivitet komunal dhe nuk ka nevojë për leje nga autoritetet qendrore.

“U bëj thirrje autoriteteve hungareze për ta lejuar zhvillimin e Paradës së Krenarisë në Budapest pa frikë nga ndonjë sanksion penal apo administrativ ndaj organizatorëve apo pjesëmarrësve”, tha von der Leyen në një video të postuar në X të mërkurën në mbrëmje.

“Në Evropë, të marshosh për të drejtat e tua është liri themelore”, shtoi ajo.

I pyetur nëse policia mund ta shpërndajë me forcë marshimin të shtunën, Orban tha të enjten në Bruksel se Hungaria është “vend i civilizuar, nuk e lëndojmë njëri-tjetrin”.

Kritikët e shohin ndalimin e Paradës si pjesë e një goditjeje më të gjerë ndaj lirive demokratike para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm, ku nacionalisti Orban do të përballet me një kundërshtar të fortë opozitar.

Orban, që është në pushtet nga viti 2010, e paraqet veten si mbrojtës të vlerave familjare dhe në shkurt tha se organizatorët as nuk duhet të përpiqen të mbajnë Paradë Krenarie në Budapest këtë vit.

Të martën, ministri hungarez i Drejtësisë ia dërgoi një letër disa ambasadave të huaja, duke i njoftuar se Parada e Krenarisë është “tubim i ndaluar ligjërisht, organizimi dhe shpallja e të cilit përbën vepër penale të dënueshme me burg deri në një vit, sipas ligjit hungarez”.

Ministri Bence Tuzson e dërgoi letrën një ditë pasi diplomatët nga Britania, Franca, Gjermania dhe 30 vende të tjera shprehën mbështetje për komunitetin LGBTQ të Hungarisë dhe Paradën e Krenarisë në Budapest.

LEXO EDHE:

Back to top button