“Njerëzit e moshuar dhe ata me sëmundje kritike t’i shmangen qëndrimit në diell”

“Njerëzit e moshuar dhe ata me sëmundje kritike t’i shmangen qëndrimit në diell”

Gazetare: Linda Ebibi

I nxehti përvëlues që ka kapluar vendin po i mundon më së shumti personat me sëmundje kronike dhe ata me tension të lartë. Sot, Ndihma e Shpejtë në Shkup ka intervenuar në një rast si pasojë e të nxehtit, ndërsa ditën e djeshme shtatë persona kanë kërkuar ndihmë në vendet publike pasi u është përkeqësuar gjendja shëndetësore. Qytetarët thonë se edhe në ditët e nxehta duhet të punojnë. Ankohen se në Shkup e kanë të vështirë të gjejnë një hije për freskim.

“Normal duhet të respektohet koha se ka njerëz me sëmundje dhe ato duhet pak t’i ikin diellit…Normal, skam deri tash asnjë farë dhimbje edhe e përballoj. Po, ujë më shumë pi normal, dy litra ujë patjetër mi pi në ditë, për këtë kohë që është boll nxehtë”, u shpreh një qytetar.

“Eci më shpejtë, lëvizi më shpejtë dhe kërkojë hije. Unë jam nga Radovishi dhe vij pas gjashtë vitesh këtu, çdo hapësirë që duhet të jetë e gjelbër e kanë shfrytëzuar dhe siç e di unë Shkupin kam jetuar këtu 40 vite mund të gjendem, por njerëzit që vijnë nga jashtë që nuk e dinë Shkupin nuk e di si do gjinden, ka shumë vetura shumë rrëmujë…Unë në Radovish eci në mëngjes më herët, më pas mbyllem në shtëpi, nuk dilet pas orës 12”, tha një qytetare.

“Nëse ka frymë është më lehtë, nëse nuk ka frymë është më vështirë. Unë kam njeri të vjetër në shtëpi, dhe vetëm në ndërrimin e tretë shkojë në punë , i ka 90 vjet dhe patjetër duhet disi të ketë për të ngrënë dhe për at dhe për mua. Deri në këtë orë mund të dal deri ora dy më pas shkojë”, deklaroi një qytetar.

“Në pik të diellit punojmë, dielli më i fortë që është na punojmë, se pa punë s’ka. Nëpër ara, nëpër fusha, këtu tek akulloret…Në katër të mëngjesit zgjohemi e falim sabahun, pastaj shkojmë në punë në ara fllad, vijmë këtu edhe këtu e kemi fllad, kështu se Zoti është i madh”, u shpreh një qytetar.

Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik apelon për personat mbi moshën 65 vjeçare të shmangin qëndrimin në diell gjatë kohës që temperaturat ditore janë shumë të larta.

“Të moshuarve u kërkohet të shmangin ekspozimin në diell, si dhe punën në natyrë, midis orës 11:00 dhe 17:00. Ky grup njerëzish është më i rrezikuar ndaj problemeve shëndetësore që lidhen me nxehtësinë. Meqenëse e kanë më të vështirë të përshtaten me ndryshimet e temperaturës, ata kanë më shumë gjasa të kenë një gjendje kronike shëndetësore, prandaj duhet të përdorin terapi të rregullt që mund t’i kalojnë në mënyrë normale reagimet e trupit ndaj nxehtësisë”, thonë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Për të gjithë që nuk e respektojnë vendimin e qeverisë që të shmangen punimet ndërtimore nga ora 11 deri në orën 17:00, ministri i ekonomisë thotë se do të ketë dënime.

“Inspektorati i Tregut është në terren, po kryen kontrolle nëse ka mosrespektim të vendimit të qeverisë, inspektorët do të veprojnë sipas dispozitave ligjore që i kanë”, u shpreh Besar Durmishi, Ministër i Ekonomisë.

I nxehti përvëlues do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, institucionet kompetente apelojnë qytetarët të mos dalin pa nevojë. Ndërkaq, sinoptikët kanë paralajmëruar për verë shumë të thatë dhe të ngrohët. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button