Interpelanca e FE-së ndaj kreut të Kushtetueses, para deputetëve më 9 korrik

Interpelanca e FE-së ndaj kreut të Kushtetueses, para deputetëve më 9 korrik

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Kreu i Kuvendit Afrim Gashi për më 9 korrik e ka vendosur në rend dite interpelancën ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, e dorëzuar nga Fronti Evropian (FE). Ndërkohë Kostadinovski nuk ka dorëzuar përgjigje me shkrim lidhur me interpelancën në afat prej 10 ditësh ashtu siç parashikon rregullorja.

“Duam t’u njoftojmë se përgjigje të interpelancës nga ana e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka arritur në Kuvend. Për shkak se afati për dorëzimin e përgjigjes ka kaluar, Kuvendi do të veprojë sipas nenit 49 paragrafi 2 nga rregullorja për punë e Kuvendit”, njoftojnë nga Kuvendi.

Kostadinovski në një prononcim publik pati thënë se nuk do të paraqitet para deputetëve me arsyetimin se çdo grup parlamentar ka të drejtë të ngrejë interpelancë por nëse ai merr pjesë, mund të llogaritet si presion dhe ndikim ndaj punës së Kuvendit.

“Gjykata Kushtetuese është organi që kontrollon Parlamentin, ligjet e tij, dhe imagjinoni nëse vihet në dyshim mundësia e interpelancave. Kjo mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, ndikim, presion, atëherë nuk mund të flasim për gjendje kushtetutshmërie. Gjykata Kushtetuese e ka përfunduar këtë çështje. Unë nuk kam ndërmend të paraqitem në Parlament, qëndrimi im është i qartë”, deklaroi Darko Kostadinovski – Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Frontit Evropian, Kostadinovski duhet të sqarohet rreth qëndrimeve të tij për gjuhën shqipe, e të cilat sipas tyre, janë subjektive. Nga Fronti dyshojnë se kushtetuesja nuk do të jetë e pavarur lidhur me ligjin për përdorimin e gjuhëve ndërsa akuzojnë Kostadinovskin se nuk e përdorë gjuhën shqipe në komunikimet zyrtare. Megjithatë edhe nëse kalon interpelanca, kjo nuk do të ketë asnjë fuqi ekzekutive sepse interpelanca nuk do të thotë shkarkim nga detyra. Në mënyrë që interpelancë të jetë e suksesshme nevojiten 61 vota. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button