Irani: 71 persona u vranë në sulmin izraelit në burgun Evin
Irani: 71 persona u vranë në sulmin izraelit në burgun Evin

Sulmi i Izraelit në burgun Evin në kryeqytetin e Iranit, Teheran, më 23 qershor vrau 71 persona, tha të dielën zëdhënësi i gjyqësorit iranian, Asghar Jahangir.
Në fund të një lufte ajrore me Iranin, Izraeli goditi burgun më famëkeq të Teheranit për të burgosurit politikë, në një demonstrim se po zgjeronte objektivat e tij përtej centraleve ushtarake dhe bërthamore, duke synuar simbolet e sistemit sundues të Iranit.
“Në sulmin ndaj burgut Evin, 71 persona u martirizuan, përfshirë stafin administrativ, të rinj që kryenin shërbimin ushtarak, të paraburgosur, anëtarë të familjeve të të paraburgosurve që i vizitonin dhe fqinjë që jetonin në afërsi të burgut”, tha Jahangir në një deklaratë për median e gjyqësorit Mizan.
Jahangir kishte thënë më parë se një pjesë e ndërtesës administrative të burgut Evin ishte dëmtuar në sulm dhe se njerëz ishin vrarë e plagosur. Gjyqësori shtoi se të paraburgosurit e mbetur ishin transferuar në burgje të tjera në provincën e Teheranit.
Burgu i Evin mban një numër shtetasish të huaj, përfshirë dy shtetas francezë të ndaluar prej tre vitesh.
“Sulmi që synonte burgun Evin në Teheran, i vuri në rrezik qytetarët tanë Cecile Kohler dhe Jacques Paris. Është e papranueshme”, tha Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, në rrjetet sociale pas sulmit./ Reuters.