A ka më shumë njerëz në Tokë nga ç’kemi menduar?
A ka më shumë njerëz në Tokë nga ç'kemi menduar?

Homo sapiens është specia më e suksesshme e gjitarëve në historinë e Tokës, dhe kjo pa ndonjë konkurrent të afërt. Njerëzit jetojnë pothuajse në çdo kontinent, në kushte të vështira, dhe janë më të shumtë se konkurrenti i dytë më i afërt, miu, me të paktën një miliard më shumë. Por një studim i ri sugjeron se përhapja mbresëlënëse e njerëzimit mund të jetë nënvlerësuar ndjeshëm.
Shumica e vlerësimeve vendosin popullsinë globale të Tokës rreth 8.2 miliardë, por Josias Láng-Ritter, studiues pasdoktoral në Universitetin Aalto në Finlandë dhe autori kryesor i studimit të botuar në revistën Nature Communications, pretendon se këto shifra mund të nënvlerësojnë ndjeshëm popullsinë rurale.
“U befasuam kur zbuluam se popullsia reale që jeton në zonat rurale është shumë më e lartë sesa tregojnë të dhënat globale, në varësi të dataset-it, popullsitë rurale janë nënvlerësuar nga 53% deri në 84% gjatë periudhës së studiuar,” tha Láng-Ritter në një deklaratë për shtyp. “Rezultatet janë të jashtëzakonshme, pasi këto të dhëna janë përdorur në mijëra studime dhe për vendimmarrje, por saktësia e tyre nuk është vlerësuar sistematikisht.”
Po si mund të testosh saktësinë e të dhënave globale që përdoren për të përllogaritur popullsinë? Me përvojë në menaxhimin e burimeve ujore, Láng-Ritter shqyrtoi një lloj tjetër të dhënash që vinin nga projektet e digave rurale, konkretisht 300 projekte në 35 shtete. Këto të dhëna, që mbulojnë vitet 1975 deri në 2010, shërbyen për të krahasuar me numrat e popullsisë të përllogaritur nga organizata si WorldPop, GWP, GRUMP, LandScan dhe GHS-POP (të gjitha të analizuar në këtë studim).
“Kur ndërtohen diga, zona të mëdha përmbyten dhe njerëzit duhet të zhvendosen,” shpjegoi Láng-Ritter. “Popullsia e zhvendosur numërohet me kujdes, pasi kompanitë e digave duhet të paguajnë kompensim. Në ndryshim nga dataset-et globale, këto deklarata të ndikimit lokal japin shifra të sakta në terren, pa ndikuar nga kufijtë administrativë. Ne i kombinuam këto me të dhëna hapësinore nga imazhet satelitore.”
Pjesë e kësaj mospërputhjeje mund të vijë nga fakti që shumë shtete nuk kanë burime për mbledhje të dhënash të sakta, dhe vështirësia për të shkuar në zona të largëta rurale e përkeqëson edhe më shumë vlerësimin e popullsisë. Një nënvlerësim i përhapur i popullsive rurale në botë mund të ketë pasoja të mëdha për ato komunitete, pasi regjistrimet e popullsisë janë thelbësore për ndarjen e burimeve.
Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur nga ky kërkim. Stuart Gietel-Basten nga Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë në Hong Kong tha për New Scientist se ndonëse do të ishte mirë të investohej më shumë në të dhëna për zonat rurale, ideja që Toka mund të ketë disa miliardë më shumë njerëz sesa kemi menduar është shumë e pamundur. “Nëse me të vërtetë po nënvlerësojmë në atë masë, do të ishte një lajm kolosal që bie ndesh me vite të tëra kërkimesh dhe mijëra dataset-e të tjera.”
Kur përpiqemi të numërojmë një popullsi kaq të madhe, disa qindra apo edhe mijëra njerëz mund të mos përfshihen. Por disa milionë, apo miliardë më shumë, do të përmbysnin kuptimin që kemi për shpërndarjen e njerëzimit në Tokë. Shkencëtarëve do t’u duhet më shumë prova për të rishikuar dekada të tëra të të dhënave.