Luis Enrique flet për përballjen me Inter Miamin dhe Leo Messin: Ai vazhdon të mbetet unik
Luis Enrique flet për përballjen me Inter Miamin dhe Leo Messin: Ai vazhdon të mbetet unik

Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, e cilësoi emocionuese përballjen ndaj Inter Miamit, në prag të sfidës së 1/16-ës së Kupës së Botës për Klube.
Ai theksoi se madhështia e emrave në skuadrën amerikane e bën këtë duel të veçantë për të dhe për lojtarët e tij.
“Emocionalisht, është një ndeshje e veçantë për mua. Është e veçantë edhe për klubin dhe për lojtarët tanë që kanë luajtur me Lionel Messin,” u shpreh Enrique në konferencën për shtyp të mbajtur në Atlanta.
Trajneri spanjoll theksoi se sfida kundër Inter Miamit i motivon të gjithë, për shkak të madhështisë së lojtarëve dhe trajnerit që ka ajo skuadër. Me këtë, ai iu referua Javier Mascheranos, ish-mbrojtësit të Barcelonës, tashmë trajner i Miamit.
Luis Enrique ka drejtuar Messin, Mascheranon, Luis Suarezin, Jordi Alban dhe Sergio Busquets gjatë kohës së tij te Barcelona (2014–2017), të gjithë sot pjesë e Inter Miamit si lojtarë apo staf teknik.
Pavarësisht moshës së avancuar të disa prej tyre, Enrique paralajmëroi për cilësinë që ende mbartin.
“Nëse nuk arrijmë t’u bëjmë presion dhe të ua marrim topin, do ta kemi shumë të vështirë. Messi me topin është unik, Busquets mbetet njësoj, Suarez ka ende klasin e tij, ndërsa Jordi Alba di ende të depërtojë në thellësi.”
Trajneri i PSG-së shtoi se vetëm një performancë e fortë dhe me intensitet të lartë do t’u japë shanse për fitore. “Përndryshe, ata mund ta fitojnë ndeshjen lehtësisht,” paralajmëroi ai.
Luis Enrique foli me respekt të veçantë për Mascheranon si trajner. “Nuk kam pasur kurrë dyshim që Javier Mascherano dhe Sergio Busquets do të bëheshin trajnerë të shkëlqyer. Ata ishin zgjatimi i trajnerit në fushë,” theksoi ai.