Rënia e avionit në Indi, akt sabotimi?/ Pistat e hetimit për tragjedinë me 279 viktima

Rënia e avionit në Indi, akt sabotimi?/ Pistat e hetimit për tragjedinë me 279 viktima

Të gjitha pistat janë në shqyrtim për të zbardhur shkaqet e rrëzimit tragjik të një avioni Boeing 787 të kompanisë Air India, që ndodhi më 12 qershor gjatë ngritjes nga qyteti Ahmedabad, në veriperëndim të Indisë. Lajmin e konfirmoi sot ministri indian i Aviacionit Civil, Murlidhar Mohol, i cili nuk përjashtoi as mundësinë e një akti sabotimi.

Sipas autoriteteve, të paktën 279 persona kanë humbur jetën në aksident, duke e kthyer këtë ngjarje në aksidentin ajror më të rëndë në botë që nga viti 2014.

Nga 242 pasagjerët në bord, vetëm një person ka mbijetuar në mënyrë mrekullibërëse. Ai ndodhej pranë një daljeje emergjente në pjesën e përparme të avionit. Përplasja ka ndodhur në një zonë të banuar të qytetit, duke shkaktuar gjithashtu 38 viktima në tokë, sipas burimeve policore.

Piloti arriti të japë sinjal alarmi pak pas ngritjes, por avioni nuk arriti të fitojë lartësi dhe u rrëzua, duke shpërthyer në flakë. Pamje të publikuara në media tregojnë avionin që bie drejt tokës dhe shndërrohet në një top zjarri.
Në një intervistë për televizionin NDTV, ministri Mohol përmendi mundësinë e dështimit të njëkohshëm të të dy motorëve, diçka që sipas tij “nuk ka ndodhur kurrë më parë”.

“Raporti hetimor do të na tregojë nëse kishte probleme me motorët, nëse kishte ndonjë mungesë karburanti apo pse ndaluan së funksionuari të dy motorët. Është ende herët për të folur, por shkaqet do të bëhen të qarta”, u shpreh ai, duke shtuar se raporti pritet të publikohet brenda tre muajve.

Të dy kutitë e zeza të avionit – regjistruesi i të dhënave teknike (FDR) dhe ai i komunikimeve në kabinën e pilotëve (CVR) – po analizohen nga autoritetet indiane të aviacionit civil (AAIB).

Avioni i linjës AI171, me destinacion Londrën, është incidenti i parë i këtij lloji që përfshin një Boeing 787 “Dreamliner”, të cilët janë në shërbim që prej vitit 2011.

Pas tragjedisë, autoritetet urdhëruan inspektim të menjëhershëm të 33 avionëve të tjerë të këtij modeli që përdor Air India, por sipas Mohol, nuk është konstatuar asnjë problem teknik.

Deri tani, falë analizave të ADN-së, janë identifikuar 260 viktima, ndërkohë që procesi i identifikimit vijon.

LEXO EDHE:

Back to top button