Probleme për Milanin, gjiganti tjetër evropian futet në garë për Ardon Jasharin
Probleme për Milanin, gjiganti tjetër evropian futet në garë për Ardon Jasharin

AC Milan po përballet me konkurrencë serioze për mesfushorin Ardon Jashari, pasi Borussia Dortmund është futur fuqishëm në garë për transferimin e tij. Megjithëse Club Brugge deri më tani ka mbetur e vendosur për të mos e shitur lojtarin, situata mund të ndryshojë.
Sipas gazetarit zviceran të merkatos, Sacha Tavolieri, skuadra gjermane është gati të paraqesë një ofertë të madhe për Jasharin. Dortmund e kishte ndjekur mesfushorin edhe më herët gjatë verës, por duhej të realizonte disa shitje përpara se të vepronte. Me transferimin e Jamie Gittens te Chelsea për 65 milionë euro, kjo pengesë tashmë është kapërcyer.
22-vjeçari, që aktualisht luan për Club Brugge, është objektiv i konfirmuar për kuqezinjtë këtë verë. Ai ka qenë tifoz i Milanit që në fëmijëri dhe është i vendosur të realizojë këtë transferim. Megjithatë, marrëveshja varet nga gatishmëria e klubit belg për të negociuar, gjë që deri më tani nuk ka ndodhur.
Raportet nga Italia sugjerojnë se një marrëveshje mund të arrihet për rreth 35 milionë euro, shumë që Borussia Dortmund është e gatshme ta ofrojë më shpejt sesa Milani.
Jashari iu bashkua Club Brugge nga Luzerni verën e kaluar për vetëm 6 milionë euro dhe që atëherë, vlera e tij në treg është rritur ndjeshëm falë paraqitjeve të mira në Belgjikë dhe në arenën evropiane.