Pas 7 muajsh filloi rigjykimi për “Besa Trans”, Haxhiu: Jam i pafajshëm

Pas 7 muajsh filloi rigjykimi për “Besa Trans”, Haxhiu: Jam i pafajshëm

Gazetar: Suad Bajrami

Shtatë muaj pas vendimit të Gjykatës së Apelit për rikthimin e lëndës “Besa Trans” në shkallë të parë, rigjykimi filloi sot. Pronari i kompanisë, Bekim Haxhiu, i cili është i akuzuar i parë në këtë lëndë ndiqet për falsifikim të certifikatës së licencës për transport ndërkombëtar. Në gjykimin e parë, u dënua me 20 muaj burg, megjithatë Haxhiu sërish sot para gjykatës deklaroi se nuk ndihet fajtor për veprën që organi i akuzës ia ngarkon, ndërsa njëjtë sikur ai, u shpreh edhe përfaqësuesi i subjektit juridik “Besa Trans BTB”, Arif Kovaçi.

Prokurori Vlladimir Milloshevski, theksoi që mbetet në akuzën fillestare, duke theksuar se autobusi i aksidentuar në Bullgari më 23 nëntor të vitit 2021 ku humbën jetën 45 persona, nuk ka pasur certifikatë licencë të vlefshme për transport ndërkombëtar. Gjithashtu, prej 10 janarit të vitit 2021 e deri në ditën e aksidentit, autobusi i njëjtë ka kaluar kufirin me certifikatë licence të falsifikuar 20 herë. Për këtë, sipas Prokurorisë është fajtor pronari i kompanisë Bekim Haxhiu, i cili nëpërmjet shoferëve të ndryshëm, ka mundësuar që autobusi të udhëtojë në relacione të ndryshme. Më i shpeshti, sipas listës që radhiti prokurori, ka qenë ai Shkup – Stamboll duke kaluar nëpërmjet pikës kufitare “Deve Bair”, ndërsa disa herë ka udhëtuar edhe në Prizren, Pogradec, Durrës e Tiranë përmes Bllacës” e “Qafë Thanës”.

1. 10.01.2021 “Deve Bair” Shkup – Stamboll
2. 17.01.2021 “Deve Bair” Shkup – Stamboll
3. 14.02.2021 “Deve Bair” Shkup – Stamboll
4. 22.02.2021 “Deve Bair” Shkup – Stamboll
5. 25.04.2021 “Deve Bair” Shkup – Stamboll
6. 02.05.2021 “Deve Bair” Shkup – Stamboll
7. 05.05.2021 “Bllacë” Shkup – Prizren
8. 09.05.2021 “Bllacë”
9. 23.05.2025 “Qafë Thanë” Shkup – Pogradec
10. 27.05.2021 “Bllacë” Shkup – Prizren
11. 01.07 2021 “Deve Bair” Shkup – Stamboll
12. 08.07.2021 “Bllacë” Shkup – Durrës
13. 24.07.2021 “Bllacë”
14. 02.08.2021 “Bllacë” Shkup – Tiranë
15. 05.08.2021 “Deve Bair” Shkup – Stamboll
16. 10.08.2021 “Bllacë”
17. 26.08.2021 “Bllacë”
18. 05.09.2021 “Deve Bair” Shkup – Stamboll
19. 14.10.2021 “Deve Bair” Shkup – Stamboll
20. 21.11.2021 “Deve Bair” Shkup – Stamboll

Mbrojtja ka mohuar në vazhdimësi se ka bërë falsifikim të certifikatës së licencës, ndërsa insistojnë në formulimin se për të pasur falsifikim, duhet që dikush të krijojë një dokument të rrejshëm, që sipas tyre në këtë rast, nuk ka ndodhur. Megjithatë, Prokuroria ka deklaruar se provat kanë dëshmuar se autobusi i aksidentuar i kompanisë Besa Trans, në kufi e ka përdorur licencën e përgjithshme, e cila ka të bëjë vetëm me funksionimin e subjektit, në vend të licencës së posaçme.

Haxhiu, në bankën e të akuzuarit ndodhet prej 15 nëntorit të vitit 2022 kur për herë të parë filloi gjykimi për këtë lëndë. Më 7 mars të vitit 2024 Gjykata Penale shpalli aktgjykimin, me të cilin e dënoi Haxhiun me 20 muaj burg, ndërsa kompaninë me 13 mijë euro. Haxhiu u ankua në Gjykatën e Apelit, ndërsa në dhjetor të vitit 2024, Apeli e ktheu lëndën nga e para. Prej atëherë, disa seancë janë anuluar, ndërsa sot filloi rigjykimi. Seanca e radhës është caktuar për më 22 shtator, në të cilën pritet që të thirren për të dëshmuar përfaqësuesit e Ministrisë së Transportit dhe Doganave.

Tragjedia që ndodhi në Bullgari, mbetet ndër më të rëndat në historinë e vendit, kur autobusi i Besa Trans i cili po kthehej nga Stambolli me turistë vendas, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa 7 mbijetuan. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button