Valë e re e të nxehtit, Rizova: Temperaturat pritet të shkojnë në mbi 40 gradë

Valë e re e të nxehtit, Rizova: Temperaturat pritet të shkojnë në mbi 40 gradë

Gazetare: Linda Ebibi

Vendi do të përfshihet nga vala e të nxehtit, e cila vjen nga Spanja. Sipas sinoptikëve pason një periudhë e gjatë e thatësirës, për shkak të motit me diell dhe shumë të nxehtë, duke sjellë rrezikun e zjarreve në pyje.

“Në periudhën e ardhshme zona jonë do të jetë nën ndikimin e të nxehtit nga jugu, kështu që moti do të jetë me diell dhe shumë nxehtë. Temperaturat nesër do të jenë në interval prej 31 deri në 39 gradë celsius, ndërsa nga e enjtja në disa vende do të kalojnë mbi 40 gradë. Mot të qëndrueshëm do të ketë në të gjitha ditët, përveç të dielën kur në orët e pasdites do të ketë mot të pa qëndrueshëm me shi dhe bubullima”, deklaroi Lençe Rizova, sinoptike.

Kryeqyteti dhe disa qytete të tjera të vendit do të kenë temperatura më të larta, të cilat do të arrijnë mbi 40 gradë celsius.

“Temperatura më të larta do të ketë në rajonin e Vardarit, pritet gjithashtu edhe në Shkup, në Veles, Demir Kapi, në këtë pjesë do të ketë temperatura maksimale. Ndërsa gjithkund do të jenë mbi 30 gradë celsius, në shumë vende mi 35 gradë, ndërsa në këto vendet më të nxehta temperaturat do të kalojnë edhe mbi 40 gradë celsius”, tha Lençe Rizova, sinoptike.

Këtë vit vera do të jetë dukshëm më e ngrohtë dhe më e thatë se vitet e kaluara. Sipas sinoptikëve, ekziston probabilitet shumë i lartë i tejkalimit të temperaturave të vlerave mesatare afatgjata. Tejkalimi i temperaturave mund të arrijë deri në plus 3 gradë celsius në të gjithë territorin e vendit. Ndërsa devijimi më i madh i temperaturës së ajrit për stinën e verës pritet të jetë në muajin korrik. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button