Mickoski: Regjistrimi është operacion statistikor dhe jo politik
Mickoski: Regjistrimi është operacion statistikor dhe jo politik

Ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë përgjegjësi penale për ish-drejtuesit e Entit Shtetëror të Statistikës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se ata i kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke e ndarë popullsinë në “rezidente” dhe “jo-rezidente” në regjistrimin e fundit, kryeministri Mickoski përsëriti se regjistrimi është operacion statistikor, e jo politik. Sipas tij, duhet të mendohet për regjistrim të ri elektronik, pasi të dhënat nga regjistrimi i fundit nuk janë relevante.
“Nëse ajo metodologji nuk vlen, atëherë ne në fakt punojmë me të dhënat nga viti 2002. Realisht, sepse nëse Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar atë metodologji, kjo do të thotë që ne aktualisht po punojmë me të dhëna 23 vjet të vjetra. Dhe nga ana tjetër po themi se jemi kandidat për Bashkimin Evropian, se duam në Bashkimin Evropian, duhet të vendosim çfarë duam në të vërtetë. A do të merremi me etnopolitikë apo do të merremi me zhvillim të vërtetë, të dyja nuk mund t’i bëjmë”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Kryeministri gjithashtu theksoi se nisma për regjistrim elektronik ende nuk është ndarë me partnerët dhe se për këtë do të zhvillohet debat. Debati rreth regjistrimit të fundit u hap pasi javën e kaluar Gjykata Kushtetuese vendosi që Apostol Simoski dhe Ilmi Selami, si ish-drejtues të Entit Shtetëror për Statistikë, e kanë keqpërdorur pozitën duke e ndarë popullatën në rezidente dhe jo-rezidente, në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën. Pas kësaj u ngrit çështja e përgjegjësisë penale të tyre, por edhe e përgjegjësisë së qeverisë së kaluar gjatë së cilës u realizua regjistrimi. Përgjegjësi penale për ish-udhëheqjen kanë paralajmëruar edhe nga qeveria, megjithëse për momentin Simoski dhe Selami zyrtarisht nuk janë objekt i ndjekjes penale nga ana e prokurorisë. Apostol Simoski ishte drejtor i Entit Shtetëror të Statistikave edhe pse ka thënë se ka qëndrim për këtë çështje, nuk është prononcuar publikisht pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nuk ka asnjë reagim as nga Ilmi Selami, i cili në funksionin e zëvendësdrejtorit ishte emëruar nga BDI. /Alsat.mk