Minçev: Përfaqësimi etnik në administratë do të bazohet në numrin real të popullsisë

Minçev: Përfaqësimi etnik në administratë do të bazohet në numrin real të popullsisë

Gazetare: Fatlume Dervishi

Ministri i Administratës Publike Goran Minçev thotë se Metodologjia e re për punësimin e pjesëtarëve të bashkësive, që do të bazohet në ligjin e ri për përfaqësim të drejtë etnik, do të bëhet ndërkohë, por se përfaqësimi, sipas tij, do të duhet të bazohet në numrin e popullsisë që jeton në vend.

Këto komente vijnë disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese e kishte konsideruar të padrejtë ndarjen në popullsi rezidente dhe jorezidente në regjistrimin e fundit. Se cilat shifra do të merren për bazë, është akoma e paqartë.

“Kjo është diçka për të cilën duhet të vendosim. Nëse më pyesni mua si Ministër i Administratës, ajo duhet të jetë popullsia rezidente, ajo që jeton këtu”, deklaroi Goran Minçev, Ministër i Administratës.

Ndarja e popullsisë në rezidente dhe jorezidente kishte shkaktuar disa herë ndarje mes politikanëve sa i takon punësimeve etnike. Qeveria paraprake kishte shfrytëzuar numrin e përgjithshëm të popullsisë, kurse me ardhjen në pushtet, Ministria e Administratës mori për bazë në balancuesin e asaj kohe, popullsinë rezidente.

Zgjidhja pritet të shihet me definimin e ligjit të ri për përfaqësim të drejtë dhe metodologjisë së re që duhet të përpilohet.

Minçev thotë se qëllimi është të bëhet zgjidhje e mirë ligjore që nuk do ta heqë mundësinë e punësimit e të gjithë bashkësive etnike dhe të mos jetë subjekt i ndonjë vendimi të ardhshëm eventual në Gjykatën Kushtetuese.

“Unë do të mundem në këtë moment ta komentoj vendimin e Komisionit të Venecias. Ajo gjithsesi është puna e tyre por shpresoj se do të jetë për shpejt kohë dhe menjëherë do të veprojmë për zgjidhjen e këtij problem ose krijimin e asaj metodologjie”, tha Goran Minçev, Ministër i Administratës.

Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë është dërguar në Komisionin e Venecias për vlerësim kurse opozita shqiptare e shoqëroi atë me kritika të shumta. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button