Osmani u bën thirrje liderëve politikë të pajtohen për konstituim të Kuvendit deri në fundkorrik

Osmani u bën thirrje liderëve politikë të pajtohen për konstituim të Kuvendit deri në fundkorrik

Presidentja Vjosa Osmani ka takuar të mërkurën liderët e partive politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, me synimin për të gjetur një zgjidhjeje për ngërçin institucional, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Teksa nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre të betonuara, kryetarët e partive që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë kanë shprehur pritjen që partia fituese dhe kryetari i LVV-së t’i ndryshojnë qëndrimet.

Presidentja Vjosa Osmani u ka kërkuar liderëve të partive politike që deri në fund të korrikut të gjejnë zgjidhje për bllokadën me konstituimin e legjislaturës së re.

Këtë Osmani e ka thënë pas takimeve të ndara që i ka zhvilluar të mërkurën me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, atë të Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, të Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në përpjekje për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për daljen nga kriza institucionale pas aktgjykimit të nxjerrë javën e shkuar nga Gjykata Kushtetuese. Në këtë aktgjykim, Kushtetuesja ka dhënë vendim që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditësh. Me që një afat i tillë nuk ka qenë i përcaktuar më herët, sipas vendimit të gjykatës, konstituimi në situatën aktuale duhet të bëhet deri më 26 korrik.

Presidentja Osmani ka theksuar se moskonstituimi i institucioneve është në dëm të interesave të Kosovës, teksa u ka bërë thirrje liderëve politikë që ta respektojnë aktgjykimin.

“Presidentja Osmani u ka bërë thirrje liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit”, është bërë e ditur në njoftimin e Presidencës.

Konstituimi i legjislaturës së re të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit është bllokuar në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Bazuar në aktgjykimin e Kushtetueses, e drejta e një subjektit politik për të propozuar kandidatin për kryeparlamentar është e ndërlidhur me arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Por që nga publikimi i aktgjykimit, subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend i kanë interpretuar në mënyrë të ndryshme e obligimet e dala prej tij.

Në partinë fituese të zgjedhjeve – Vetëvendosje – kanë insistuar që votimi i kandidates së saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të bëhet në mënyrë të fshehtë, pas disa dështimeve në votim të hapur. Këtë, përfaqësues të partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë e kanë vlerësuar si veprim kundërkushtetues.

E pas takimit të së mërkurës me Osmanin, liderë të subjekteve politike kanë shprehur pritje për lëvizje nga qëndrimet.

Kryetari i LVV-së, Kurti, ka bërë zotim se do të angazhohet për konstituimin e Kuvendit.

“Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit, me konsultime të dendura konstruktive dhe gjithashtu me idenë e konsensusit apo kompromisit, ta realizojmë këtë gjë, në mënyrë që më pastaj të kalojmë te formimi i qeverisë së re që i përgjigjet Kuvendit të ri të Republikës”, ka theksuar ai.

“Diskutuam gjerë e gjatë, i përmendëm të gjitha elementet përbërëse… Zonja presidente do të ketë takime edhe me përfaqësues të partive të tjera politike. Mbase në fund do të mund të shohim nëse kemi bërë përparim. Besoj se duhet t’u japim shans edhe takimeve të tjera, e më pas të shohim se cili është progresi”.

I gatshëm për të kontribuar në gjetjen e një zgjidhje për krizën politike është deklaruar edhe kryetari i PDK-së, Krasniqi. Ai ka thënë se aktgjykimi i Kushtetueses i ka qartësuar rolet e secilit dhe detyrimin e partisë së parë për gjetjen e konsensusit.

“Shpresoj që këto konsulta të jenë në funksion të gjetjes së rrugëdaljes. Por mbetet që takimet e tjera, që i ka planifikuar presidentja, të na qartësojnë a ka apo nuk ka ndryshim të kryeneçësisë politike të VV-së dhe të Albin Kurtit, që po e mbajnë të bllokuar Kuvendin”, ka thënë ai.

Krasniqi ka përsëritur se qëndrimi i PDK-së për votim të hapur për kryeparlamentarin nuk ka ndryshuar teksa ka insistuar që deputetëve t’u propozohet një kandidat tjetër që mund ta marrë shumicën e nevojshme.

E kryetari i LDK-së, Abdixhiku, e ka parë zgjidhjen për ngërçin përbrenda aktgjykimit të Kushtetueses.

“Thelbi i problemit është që i takon partisë së parë që të propozojë, por edhe njëkohësisht të krijojë shumicën parlamentare. Në këtë vijë, ne presim që zgjidhja të bëhet përmes insistimit për shumicë politike e pastaj për respektim të procedurave kushtetuese që tashme janë edhe rregulla ligjore”, ka deklaruar ai pas takimit me presidenten Osmani.

Liderë të PDK-së dhe të LDK-së kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen sërish Kushtetueses për sqarime shtesë lidhur me aktgjykimin dhe për të evidentuar nëse në seancat e fundit ka pasur shkelje të Kushtetutës.

E Haradinaj i AAK-së ka paralajmëruar se situata aktuale politike mund të vështirësohet në rast se zgjidhja nuk gjendet përbrenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuesja.

“Zhvillimet pas 30-ditëshit mund të jenë shumë dramatike. Gjykata mundet të na kthejë në pikën zero, thua se nuk janë mbajtur zgjedhjet fare, e kjo është një situatë serioze. P.sh ka raste, gjykata thotë se ata që janë zgjedh e kanë humb mandatin e vet, se nuk e kanë ushtruar funksionin… krejt këtë brez politik e çon në shtëpi. Thotë se nuk e keni kryer detyrën, shkoni në shtëpi”, është shprehur ai.

Kryetari i AAK-së ka insistuar që për detyrën e kryeparlamentarit të gjendet një kandidat konsensual.

Pas takimeve me liderë të partive shqiptare, presidentja Osmani pritet që t’i takojë edhe përfaqësues të partive nga radhët e komuniteteve joshumicë e të cilat janë të përfaqësuara në Kuvend.

Të enjten do të zhvillohet tentimi i 41-të i deputetëve për konstituimin e Kuvendit, që nga thirrja e parë e seancës më 15 prill.

LEXO EDHE:

Back to top button