Policia serbe përleshet me protestuesit anti-Vuçiq
Policia serbe përleshet me protestuesit anti-Vuçiq

Policia është përleshur me qytetarët në lagjen Vraçar të Beogradit, në një tjetër episod të tensionuar që shënon vazhdimin e protestave masive kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Incidenti ndodhi gjatë natës, kur forcat policore tentuan të shpërndajnë protestuesit që po bllokonin rrugët, duke kërkuar lirimin e të arrestuarve dhe dorëheqjen e qeverisë.
Protestat, të cilat kanë hyrë në ditën e katërt, po zhvillohen në disa qytete të Serbisë, përfshirë Beogradin, Novi Sadin, Nishin dhe Kragujevcin, shkruan nova.rs.
Studentët, të rinjtë dhe qytetarët e thjeshtë janë mobilizuar në mënyrë të vazhdueshme, duke bllokuar kryqëzime kryesore dhe duke vendosur kontejnerë në rrugë për të penguar qarkullimin.
Shkak për protestat është bërë pakënaqësia e thellë ndaj qeverisë së Vuçiqit, akuzat për manipulim zgjedhor, represion politik dhe, së fundmi, arrestimet e aktivistëve që morën pjesë në protestat e 28 qershorit.
Organizatorët e protestave kanë bërë thirrje për mosbindje civile, ndërsa tensionet mes protestuesve dhe policisë po përshkallëzohen nga dita në ditë.
Aktivistët po kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare, lirimin e të gjithë të ndaluarve dhe ndaljen e dhunës shtetërore ndaj qytetarëve që protestojnë paqësisht.