Dështon për herë të 41-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës
Dështon për herë të 41-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Konstituimi i Kuvendit dështoi edhe për herën e 41-të. Vazhdimi i kësaj seance dështoi në mungesë kuorumi për votimin e komisionit që mundëson votimin e fshehtë. Në sallë kanë qenë të pranishëm 99 deputetë, ku kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ka ftuar partitë politike për propozim të emrave për komision.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu i bëri thirrje Deharit për respektim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ndaj tij ka reaguar bashkëkryesuesja, Sala Jashari e PDK-së.
“Kryesues, edhe në këtë seancë po ju bëjmë thirrje, mos e shkelni kushtetutën. Kthehuni te rendi i ditës .
Dehari: Regjia le ta ndërpres mikrofonin.
Jashari: Kryesues a thatë që Kushtetuta është shumë e rëndësishme, pse po e shkelni Kushtetutën?
Dehari: Vetëm për punë propozimeve.
Jashari: Ju më herët thatë që është shumë e rëndësishme Kushtetuta, atëherë pse jeni duke e shkelur. Jeni duke e prekur themelin e shtetit edhe ende jeni duke vazhduar njëjtë. Kjo është shumë e papranueshme. Mos e lejoni, ju lutem. Janë qytetarët në pyetje, nuk është politika.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj kërkoi nga Dehari kthim në rendin e ditës.
Zogaj: Propozoj të kthehesh në rendin e ditës
Dehari: Të lutem regjia, s’duhet të keqpërdoret mikrofoni. Mikrofoni hapet vetëm për propozime të rendit të ditës jo për debatime.
Zogaj: Propozoj të kthehesh në rendin e ditës dhe mos ta shkelni Kushtetutën.
Dehari: Le të ndërpritet mikrofoni”, përfundoi Dehari.
Dehari kërkoi t’i ndalet mikroni edhe deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj.
Kadrijaj: Ne si Aleancë e propozojmë Albin Kurtin
“Ne nuk e ndryshojmë qëndrimin e propozojmë deputetin Albin Kurtin dhe kthehu në rendin e ditës.
Dehari: Ju lutem të ndërpritet”.
Dehari vazhdoi seancën duke hedhur në votim komisionin për votim të fshehtë i cili nuk mori votat e mjaftueshme.
Më pas e ndërpreu seancën.
Dehari: Ndërpritet seanca
“54 deputetë kanë votuar për, kundër nuk ka asnjë votë, abstenim nuk ka, ndërpritet për sot seanca. Shihemi me 05.07.2025 në orën 11:00 sërish”, tha ai.
Pas kësaj, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë vazhduar qëndrimin në sallë edhe për disa minuta.
Kushtetuesja javën e kaluar ka sjellë aktvendim sipas të cilit legjislatura e nëntë ka një muaj afat për konstituim – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.