Pakënaqësi në LSDM për kandidaturat/ Kryetari i Strumicës Kostadin Kostadinov e ngriu anëtarësinë
Pakënaqësi në LSDM për kandidaturat/ Kryetari i Strumicës Kostadin Kostadinov e ngriu anëtarësinë

Gazetar: Suad Bajrami
Kryetari i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe, mbrëmë zbardhi 11 emrat e rinj të kandidatëve që do të garojnë për kryetar komune në zgjedhjet e tetorit, mes tyre edhe për Kumanovën, Ohrin dhe Strumicën.
“Për Kumanovë sekretari organizativ i partisë Martin Kostovski…Në Ohër kandidat për kryetar komune do të jetë kryetari i organizatës komunale doktor Asen Shajn…Në Strumicë kandidat për kryetar komune do të jetë kryetari organizatës komunale Marjan Daskallovski”, deklaroi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Menjëherë pasi u Filipçe i shpalli emrat e kandidatëve, kryetari i Komunës së Strumicës Kostadin Kostadinovski, i cili tanimë dy mandate është në detyrë si kandidat i LSDM-së, njoftoi se e ngrin anëtarësinë në LSDM derisa, siç thekson ai, partia nuk kthehet atje ku e ka vendin. Në një prononcim për Alsat, Kostadinov, i cili udhëheqë ndër të paktat komuna që në zgjedhjet lokale i ka fituar LSDM thekson se nuk përjashton mundësinë që të garojë për mandat të tretë si kandidat i pavarur.
“Është koha për durim dhe mençuri, këto ditë bisedoj me qytetarë, parti, bashkëpunëtorë rreth veprimeve afatshkurtra me kandidim të pavarur, ose mundësi për garim plus një ose dy lista të pavarura të këshilltarëve. Masat afatgjata do t’i publikoj në fazën e parë diku prej në mes deri në fund të shtatorit, ndërsa faza e dytë është veprimi strategjik, i cili do të jetë pas mbarimit të zgjedhjeve lokale”, u shpreh Kostadin Kostadinov, kryetar i Komunës së Strumicës.
Me interes u prit edhe emri i Martin Kostovskit, i cili në Kumanovë duhet t’i del përballë, bashkëpartiakut të dikurshëm dhe kryetarit aktual Maksim Dimitrievski, me të cilin në zgjedhjet e fundit lokale u përplasën deri në shkallën që Dimitrievski lëshoi partinë dhe kandidoi si kandidat i pavarur për Kumanovën. LSDM asokohe kandidoi Oliver Ilievskin, por ashtu si në shumicën e komunave, pësoi humbje. Kostovski, në një postim të tij në Facebook ka një porosi për Dimitrievskin, i cili prej këtij vitit të kaluar është pjesë e ekzekutivit në koalicion me VMRO-DPMNE-në.
“Dimitrievski i tradhtoi të gjithë ata që votuan për atë. Në vend të korrigjuesit të pushtetit, u bë pion i Mickoskit dhe kalë i Trojës i cili duhet ta përçajë opozitën dhe LSDM-në. Njeri i cili i shkeli të gjitha parimet dhe heshti ndaj krimit të partnerëve të tij të koalicionit. Njeri i cili uli kokën përpara patronit Mickoski”, tha Martin Kostovski, kandidat i LSDM-së për Kumanovën.
Për shkak mosmarrëveshjeve në LSDM, disa parti më të vogla lëshuan koalicionin për të garuar si të pavarura. Mes tyre janë partia DOM dhe Partia e Pensionistëve. /Alsat.mk