Diabetikët sërish kanë mbetur pa terapi me insulinë
Diabetikët sërish kanë mbetur pa terapi me insulinë

Gazetar: Mihajllo Donev
Pacientët me diabet ankohen se pavarësisht mbylljes së tenderit për furnizim me minsulinë, ata nuk kanë marrë terapi. Përveç terapisë, mungojnë edhe preparatet e insulinës, ndaj pacientët kanë kërkuar furnizim urgjent të tyre përmes një letre drejtuar ministrit të Shëndetësisë.
“Sasitë e produkteve me insulinë janë reduktuar në minimum, dhe për pasojë nuk janë përmbushur kushtet për të plotësuar nevojat e pacientëve ekzistues. Asnjë nga ne, 40.000 pacientët, nuk është vendosur në terapi pa pasur nevojë mjekësore për të, dhe asnjë terapi nuk është përshkruar nga ndonjë mjek që nuk është i trajnuar për të dhënë terapinë që na nevojitet. Kërkojmë me urgjencë shpalljen e tenderit për glukometra, shirita, lanceta dhe sensorë”, thonë nga Lidhja e Diabetikëve.
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu thotë se nuk e di se cila do të jetë zgjidhja për këto kërkesa, por pohon se është transparent dhe i gatshëm të bisedojë me pacientët.
“Për momentin nuk kam përgjigje se cila do të jetë zgjidhja, pasi grupi punues ende është në proces dhe nuk ka përfunduar, por ju siguroj se jam i hapur – ja, edhe sonte jam në emision me ta. Çdo ditë, dera ime është e hapur që të komunikojmë, të informohemi dhe ata të informohen për mundësitë që ka shteti, por gjithashtu edhe ne të informohemi për problemet dhe sfidat me të cilat ata përballen”, tha Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.
Për problemin e mungesës së terapisë, në letrën e pacientëve thuhet gjithashtu se nëse ministri nuk gjen zgjidhje, Lidhja e shoqatave të diabetikëve do të organizojë protestë para Qeverisë./Alsat.mk