Partitë, përplasje për takimet me Mijallkovin

Ndërsa Mijalkov qëndron në paraburgim, partitë vijojnë akuzat e ndërsjella se kush ka qenë më i afërt me ish-shefin e policisë sekrete, pak ditë para se të merrej aktvendimi për rastin Target – Fortesa. LSDM-ja akuzon se Hristijan Mickoski, Aleksandar Nikollovski dhe Vllatko Gjorçevi kanë qenë mysafirë të shpeshtë në Hotelin Meriot javët e fundit ndërsa kanë organizuar edhe tubim partiak. Nga partia në pushtet i bënë thirrje udhëheqësit të VMRO DPMNE-së, Mickoskit, të tregojë nëse ka pasur takime me Mijallkovin.

Ndoshta për shkak të borxhit të Mickoskit ndaj Saso Mijallkovit, i cili së bashku me Gruevskin e vunë në krye të VMRO-DPMNE-së? Është e qartë se koalicioni Meriot-Pallati i Bardhë ende e udhëheq VMRO-DPMNE-në. Nga këtu edhe i gjithë nervozizmi dhe paniku në Pallatin e Bardhë pas aktvendimit në rastin “Target-Fortesa”. Mickoski dështoi ta shpëtojë krimin e regjimit, dështoi qëllimi i tij që ti shpëtojë nga përgjegjësia.”

VMRO DPMNE u kundërpërgjigj se Zaev kishte takim me Mijallkovin të cilit i kishte premtuar liri, ndërsa në këmbim i kishte kërkuar të krijojë probleme brenda VMRO DPMNE-së. Lidhur me tubimin e partisë që u zhvillua në hotel, thonë se organizimi nuk ishte i tyre.

Nëse LSDM ka diçka kundër bashkësisë ndërkombëtare dhe Suedisë, le ta thotë. Ngjarja në hotelin “Meriot” u organizua nga Fondacioni suedez “Jarl Halmarson”, i cili mbështet VMRO DPMNE-në dhe ndihmon në ndërtimin e kuadrit dhe politikave, nëse LSDM ka problem me këtë, le të tregojë. LSDM nuk duhet të harrojë se Sasho Mijallkov është aty ku është për shkak të presionit të VMRO-së, popullit dhe bashkësisë ndërkombëtare. “Po të pyetej Zoran Zaevi, Mijallkov do të ishte akoma në liri”.

Mijalkov mbetet në paraburgim deri në fund të prillit, ku po vuan paraburgimin 60 ditorë që e mori për rastin “Target- Fortesa”. Ky nuk është rasti i vetëm kundër tij. Sipas informacioneve të Alsat, po përfundon edhe gjykimi për arrestimin çnjerëzor të Lube Boshkovskit apo siç njihet rasti “Tortura”. Në këtë gjykim, ka mbetur mbrojtja e të akuzuar të njësisë së atëhershme policore “Alfa” dhe nëse nuk ka prova shtesë, do të vijojnë fjalët përmbyllëse. Në këtë rast, Mijallkov ndiqet me aktakuzë, që do të thotë se në këtë rast, prokuroria në varësi të vendimit, mund të kërkojë paraburgim derisa dënimi eventual të bëhet i plotëfuqishëm. Në ndërkohë, do të pritet epilogu për rastin “Target- Fortesa”, ankesat e avokatëve dhe vendimi i Gjykatës së Apelit. Shanset që Gjykata e Apelit të marrë vendim përfundimtar para përfundimit të paraburgimit 60-ditor të Mijallkovit, janë të vogla.

Igor Stefanovski

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button