Irani ekzekuton kampionin e mundjes, Navid Afkar
Irani ka ekzekutuar me vdekje kampionin e mundjes Navid Afkar, i cili ishte dënuar për therjen me vdekje të një roje, gjatë protestave anti-qeveritare më 2018, raporton Reuters.
“Dënimi për hakmarrje kundër Navid Afkari, vrasësi i Hassan Turkman, u krye këtë mëngjes në burgun Adelabad në Shiraz”.
Kështu ka deklaruar Kazem Mousavi, kreu i Departamentit të Drejtësisë në provincën jugore Fars.
Ky rast kishte tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump, i cili kishte bërë thirrje që Navid Afkar të mos ekzekutohej.
Sipas familjes dhe aktivistëve, Afkar kishte deklaruar se ishte torturuar dhe e kishin detyruar të bënte një rrëfim të rremë, përderisa avokati ka deklaruar se nuk ka asnjë dëshmi për fajin e tij.
Gjyqësori iranian ka mohuar akuzat për torturë.
Gjithashtu edhe Unioni Botëror i Sportistëve, që përfaqëson 85 mijë sportistë, kishte bërë thirrje ditë më parë që të mos ekzekutohej Afkar, ndërsa ka kërkuar që Irani të përjashtohet nga bota e sportit në rast të ekzekutimit të mundësit 27 vjeçar.